Lajme

Haradinaj: Qeveria Kurti më e keqja që ka pasur Kosova ndonjëherë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij në Kuvend ka deklaruar se Kosova ka fituar qeverisjen më të keqe ndonjëherë.

“E ka fituar qeverisjen më të keqe ndonjëherë, një qeveri e cila është e paftë në politikën e jashtme, një qeveri që ka vetëm dështime në politikën e jashtme, qeveria e parë e cila ka mbërri me kriju mosbesim me SHBA-në. Një qeveri e cila nuk ka ditë të udhëheq çështje të sigurisë”, deklaroi Haradinaj.

Ai këtë qeveri e ka quajtur edhe “vet-shkatërruese” në energjinë e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës.

“Qeveri e cila ka qenë vet-shkatërruese sa i përket energjisë në Kosovë. Së fundmi, jemi në prag të festave të fundvitit, po i dënon mërgimtarët me pritje në kufi, po e mban në fuqi orën policore”, ka pohuar ai.

Haradinaj kërkesë pati largimin e orës policore nga ministria e Shëndetësisë.

“E lus ministrin e Shëndetësisë që ka ardhur nga Amerika t’i tregojë kryeministrit të vet se ora policore nuk aplikohet në asnjë vend, që ka kufizime për shkak të pandemisë”.

Ai kërkoi përgjigje në pyetjen se cili vend aplikon orën policore në botë.

“Qeveria edhe kohën sa qëndrojnë në vend ua vështirëson. Cili vend në botë ka orë policore? A din dikush prej ekspertëve të VV-së të na tregojë për orën policore”, theksoi mes tjerash ai.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës pritet të zgjidhet edhe Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjithashtu pritet të propozohen dy kandidatë për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, të zgjidhen dy drejtorë të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut “NP KOSTT”, si dhe pritet të bëhet zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore