Lajme

Haradinaj përkujton Mujë Krasniqin: Vendosmëria dhe trimëria e tij të gdhendur në kujtesën e shqiptarëve


Mujë Krasniqi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në 25 vjetorin e rënies së heroit Mujë Krasniqit dhe 40 bashkëluftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka përkujtuar ata duke thënë se vendosmëria dhe trimëria e tyre është e gdhendur në kujtesën e shqiptarëve.

Porosinë e luftës për liri, theksoi Haradinaj përmes një postimi në Facebook, komandant Kapuçi, nofka e heroit Mujë Krasniqi gjatë luftës, “e përhapi çdokund”.

“Vendosmëria dhe trimëria e tij, janë të gdhendura në historinë dhe kujtesën e shqiptarëve”, shkroi ai.

Mujë Krasniqi, i këndoi lirisë, potencoi kreu i AAK-së, “e në kërkim të saj bashkë me trimat ranë tek kufiri që nuk ekziston më”.

“Vepra e tyre madhore na shërben si udhërrëfyes në punën tonë të përditshme në forcimin e shtetit dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve”.

Në fund të përkujtimit të tij, Haradinaj tha “lavdi e përjetshme!”.

Këtë të enjte, bëhen 25 vite nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi, i njohur me nofkën Kapuçi, dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, në kufirin shqiptaro-shqiptar, pra Kosovë-Shqipëri.

Në mëngjesin e 14 dhjetorit të vitit 1998, luftëtarët e UCK-së, më në krye komandant Kapucin, derisa po sillnin armë nga Shqipëria në Kosovë, për të vazhduar betejën ndaj regjimit serb, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria serbe, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.

Dëshmorët e UÇK-së të rënë në kufirin shqiptaro-shqiptar ishin varrosur në fshatin Polac të Skenderajt, rajoni Drenicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore