Lajme

Haradinaj për krijimin e Fondit të Sigurisë: Të shndërrohet edhe në ligj


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Fondit të Sigurisë.

Haradinaj, përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e tij dhe e partisë që e drejton.

“Mbështes vendimin e Qeverisë për krijimin e Fondit të Sigurisë, kërkesë kjo e vazhdueshme e Aleancës dhe e imja. Besoj që ky vendim i qeverisë duhet të shndërrohet edhe në Ligj i cili do të votohej në Kuvend. Për çështje të sigurisë, Aleanca gjithnjë është e rreshtuar aty ku është interesi nacional”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, “agresioni rus në Ukrainë dhe pozicionimi i qartë i Serbisë krahas Putinit dhe Rusisë, është kërcënim serioz për sigurinë në Ballkan, veçanërisht në vendin tone”.

Ai ka shtuar se kjo situatë kërkon veprim të shpejtë, vendime efikase, të nevojshme, e të përgjegjshme të të gjithë institucioneve të vendit.

“Për çështje të sigurisë, Aleanca gjithnjë është e rreshtuar aty ku është interesi nacional”.

Ndërsa, edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se rrogën e muajit shkurt do ta kalojë në Fondin për Siguri që është themeluar nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Muharremaj përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se si ushtarak me profesion, por edhe si ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e konsideron se është momenti i duhur ta ndihmojë avancimin e ushtrisë së vendit.

“I ftoj deputetët, ministrat dhe udhëheqësit e dikastereve të tjera të ndajnë të ardhurat e tyre për sigurinë e vendit tonë. Megjithëse qytetarët tanë po përballen edhe me rritje çmimesh, si në energji elektrike e shumë të tjera, le ta bartim më shumë ne udhëheqësit peshën e kësaj situate”, ka shkruar Muharremaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është themeluar Fondi i Sigurisë.

Dokument për themelimin e Fondit të Sigurisë i publikuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook, ka thënë se ky fond është bërë i domosdoshëm pas agresionit rus në Ukrainë.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ka shkruar Kurti.

Pas agresionit rus në Ukrainë, në Kosovë janë shtuar kërkesat për krijimin e një fondi për rritjen e përkrahjes financiare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në dhjetor të vitit 2021 ka propozuar krijimin e një fondi, i cili do t’i dedikohej ekskluzivisht forcimit të Ushtrisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore