Lajme

Kosovë: Themelohet Fondi i Sigurisë


Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është themeluar Fondi i Sigurisë.

Ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook, ka thënë se ky fond është bërë i domosdoshëm pas agresionit rus në Ukrainë.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ka shkruar Kurti.

Dokument për themelimin e Fondit të Sigurisë i publikuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti tutje ka sqaruar se funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.

“Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës”.

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij”.

Ndërsa, kryeministri ka ftuar edhe qytetarët të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.

“Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore”, deklaroi Kurti.

Pas agresionit rus në Ukrainë, në Kosovë janë shtuar kërkesat për krijimin e një fondi për rritjen e përkrahjes financiare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në dhjetor të vitit 2021 ka propozuar krijimin e një fondi, i cili do t’i dedikohej ekskluzivisht forcimit të Ushtrisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore