Shqipëria

Mbahet premtimi, hapet tuneli nr. 4 te “Shqiponja”


Premtimi se kryeqyteti do të ketë të hapur një prej segmenteve hyrëse të Tiranës brenda marsit është mbajtur.

Në tetor 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, deklaronte se brenda katër muajve do të kishim të hapur segmentin e parë hyrës në Tiranë.

Të njëjtën gjë do të konfirmonte edhe kryeministri Edi Rama, më 8 shkurt 2021, kur tha se “15 marsi do të shohë të hapur një nga segmentet hyrëse në Tiranë”.

Sot, më 16 mars, ish-Shqiponja e sheh veten me një tunel të ri hyrës, që do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut, atë numër katër.

Ministrja Balluku njoftoi të martën për hapjen e qarkullimit të automjeteve në tunelin numër katër, në nyjën “Shqiponja”.

“Për dy javë nga sot, ne synojmë të jemi në fazën e tretë të projektit. Pas dy javësh, presim të hapim dhe tubin e tretë”, shprehet ministrja.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe drejtori Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, kanë dhënë detajet e qarkullimit të automjeteve.

Përmes këtij tuneli do të bëhet qarkullimi i automjeteve që dalin nga Tirana në drejtim të Durrësit.

Ministrja njofton se kjo lëvizje e tunelit numër katër nuk do të jetë lëvizja përfundimtare, sipas projektit, por është proceduar kështu “për të lehtësuar qarkullimin në hyrje të kryeqytetit”.

“Çdo kalim dhe tunel që hapet, janë rrugë provizore. Në fund të projektit do të kenë funksion tjetër”, sqaroi Balluku.

Në tetor 2020, ministrja Balluku premtoi hapjen e një segmenti

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në inspektimin që zhvilloi në “Rreth-rrotullimin Shqiponja” më datë 19 tetor të vitit të kaluar, parashikoi një kohëzgjatje të punimeve deri në hapjen e parë të nyjës mbas 4 muajve.

Nyja e sheshit “Shqiponja”, pjesë e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, është një nga veprat më të rëndësishme të këtij projekti. Njëkohësisht edhe një nga më të vështirat, për shkak të kompleksitetit dhe volumit të lartë të punimeve që duhen kryer.

Kujtojmë se kjo nyje lidh rrugën “Dritan Hoxha” me atë “Teodor Keko” dhe vazhdimet e tyre. Rreth-rrotullimi përmirëson mjaft qarkullimin dhe zgjidh opsionet hyrje-dalje në auto-rrugë dhe në rrugën “Dritan Hoxha”. Për të bërë kalimin e automjeteve të rrugës së shërbimit, nga njëra anë, e auto-rrugës, në anën tjetër, janë projektuar dy mbikalime rreth 150m larg rreth rrotullimit. Rruga “Dritan Hoxha” ka kalim të drejtpërdrejtë me nënkalim.

Rama konfirmoi datën e hapjes së segmentit

Më 8 shkurt 2021, nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama inspektoi punimet së bashku me ministren Balluku. Ai premtoi se më 15 mars segmenti i parë do të hapej për lehtësimin e qarkullimit rrugor.

“Sipas parashikimeve, më 15 mars do të hapet një nga segmentet për të menaxhuar një pjesë të trafikut”, deklaronte Rama më 8 shkurt.

Ky premtim tashmë është i mbajtur, me inaugurimin e “Tunelit 4”, pjesë të hyrjes së re të Tiranës.

Në tërësi janë pesë tunele, të cilët po ndërtohen si pjesë e ish-sheshit “Shqiponja”. Një rreth-rrotullim do të ndërtohet edhe në pjesën e Astirit për të lehtësuar trafikun.

Përfundimi i hyrjes së Tiranës do t’i hapë rrugë më pas ndërtimit të lotit të ri nga Shqiponja në Bulevardin e Ri dhe nga ky i fundit deri në Shkozë. Kjo do të përmbyllë edhe pjesën e fundit të projektit për Unazën e Madhe të Tiranës.

Rikonceptimi i hyrjes së Tiranës është një prej projekteve më madhore rrugore të kryeqytetit. Duhet theksuar se hyrja e vjetër në rreth-rrotullimin “Shqiponja” ishte një nga pikat më të nxehta të trafikut kryeqytetas.

Jo të pakta kanë qenë rastet e bllokimit tërësor të hyrjes së Tiranës, duke shkaktuar probleme edhe me qarkullimin në akset e tjera qytetase si rruga e Durrësit apo rruga e Kavajës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore