Shqipëria

Hapa të mëtejshëm për sigurinë në Evropë


Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), të premten më 26 shkurt, udhëheqësit e BE-së patën një diskutim të thelluar se si të zhvillojnë rolin për sigurinë dhe mbrojtjen.
Duke pasur parasysh bashkëpunimin e ngushtë që Unioni ka me NATO-n, në mbledhje ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Diskutimi midis udhëheqësve të BE u zhvillua në sfondin e një situate të përkeqësuar të sigurisë dhe një atmosfere të re në marrëdhëniet transatlantike. Ashtu si Unioni, edhe NATO kërkojnë të ndërtojnë një BE të fortë, të aftë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, shkruan në blogun e tij ministri i Punëve të Jashtme të  BE-së, politikani spanjoll, Josep Borrel.

“Nëse nuk ndajmë të njëjtën perspektivë se cilat janë kërcënimet dhe sfidat, nuk do të biem dakord se çfarë të bëjmë për to”.

Politikani spanjoll, iu ka kërkuar udhëheqësve të BE-së mendime dhe udhëzime për idenë e tij “Busulla Strategjike: një përgjigje kolektive për një mjedis të ri strategjik”.

Pra, është me rëndësi thotë ai, që vendet të bashkohen dhe të vendosin se cilat janë objektivat dhe ambiciet e tyre për 5-10 vitet e ardhshme. Si duhet t’i arrijmë ato dhe si t’i lidhim mjetet me qëllimet.

Katër dimensionet e Busullës Strategjike

Së pari, sipas Borrel, vendet duhet të angazhohen sa më shumë të jetë e mundur.
Duhet përmirësuar gjenerimin e forcës. Duhen patur trupa dhe pajisje të nevojshme nga vendet anëtare për të përmbushur objektivat e misioneve që ata kanë vendosur të ndërmarrim.
Në përgjithësi, BE ka nevojë të rrisë gatishmërinë e saj për të përmbushur krizat e ardhshme, arsyeton politikani.
“ Ne e dimë se ekziston një rrezik real i paqëndrueshmërisë në rajone të ndryshme, të cilat janë drejtpërdrejt të rëndësishme për sigurinë tonë”.

Së dyti, BE duhet të rrisë gatishmërinë e saj për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ndryshme dhe sfidave të sigurisë, shkruan Borrel.
“Ne duhet të garantojmë qasje të sigurtë në internet, në det të hapur dhe hapësirë. Për shembull, ne shohim një kërkesë në rritje që BE të zgjerojë rolin e saj si një ofrues i sigurisë detare”.
Ai këshillon BE-në të ecë përpara me implementimin e Strategjisë së Sigurisë Kibernetike.

Së treti, BE ka nevojë për aftësitë e nevojshme civile dhe ushtarake.
Vazhdimi i bashkëpunimit evropian të mbrojtjes mbetet mënyra e vetme për ta bërë sektorin e mbrojtjes më efikas dhe industrinë më konkurruese, sqaron përfaqësuesi i lartë i BE-së.
“Ne kemi bërë progres gjatë viteve të fundit, veçanërisht përmes Bashkëpunimit të Strukturuar të Përhershëm (PESCO). Sidoqoftë, kërkohen më shumë përpjekje që të jenë më të orientuara në rezultate, duke u përqendruar në projektet operacionale”.

Me Rishikimin Strategjik PESCO të kryer vitin e kaluar, janë identifikuar 26 projekte nga 46 që do të jepnin rezultate konkrete deri në vitin 2025. Nga mbrojtja kibernetike dhe mbështetja mjekësore te sistemet e përparuara të armëve.
Stimujt financiarë të vënë në dispozicion për Fondin Evropian të Mbrojtjes, 8 miliardë euro gjatë shtatë viteve të ardhshme do të rrisin këto përpjekje.

Së katërti, duhet të rritet bashkëpunimin me partnerët dypalësh dhe me organizatat ndërkombëtare, duke filluar me NATO-n, i ka udhëzuar vendet e BE-së, Borrel.
Një aleancë e fortë kërkon partnerë të fortë në të dy anët e Atlantikut, vazhdoi ai.
“Prania e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, në tryezën e liderëve të BE ishte dëshmi e partneritetit tonë të ngushtë”.
Ai ka sugjeruar udhëheqësit e vendeve të BE-së të bëjnë më shumë për të rritur bashkëpunimin midis dy organizatave. Që nga ushtria deri te luftimi i kërcënimeve hibride, nga ndryshimi i klimës dhe siguria tek teknologjitë në zhvillim.
“Një BE më e fortë në mbrojtje, me shtete anëtare më të afta, do të përfitojë gjithashtu nga Aleanca dhe do të kontribuojë në një ndarje më të mirë të ngarkesës transatlantike”.

Puna për “Busullën Strategjike” do të zhvillohet ndërsa NATO po kryen rishikimin e saj strategjik.
Paralelisht, BE synon të forcojë partneritetin me Kombet e Bashkuara, aktorët rajonalë dhe vendet e treta. Me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në detyrë, ekziston mundësia për të ringjallur partneritetin tonë strategjik BE-SHBA, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, shkruhet në blog.

“Gjatë diskutimit tonë të hënën e kaluar midis Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA, Tony Blinken, ne ramë dakord të punojmë jashtëzakonisht ngushtë. Do të ketë marrëdhënie bilaterale midis BE dhe SHBA si dhe midis BE dhe NATO”.

Busulla Strategjike duhet të bazohet në objektiva konkretë dhe të veprueshëm, me afate kohore të qarta, dhe duke përdorur plotësisht të gjithë kutinë e mjeteve të BE-së, ka nënvizuar Borrel.
Ky duhet të jetë thelbi i draftit të parë të Busullës Strategjike, që politikani është shprehur se do e paraqesë deri në nëntor të këtij viti, në funksion të miratimit të tij deri në mars të vitit 2022.

“Na duhet një dokument që është ambicioz dhe që bën një ndryshim real për sigurinë e Evropëa. Ne duhet të jemi të përgatitur të kalojmë nga reflektimi dhe analiza në veprime konkrete kur dhe ku është e nevojshme”, ka mbyllur shkrimin Josep Borrel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore