Sport

Hammarby njofton për gjendjen e Astrit Selmanit


Klubi suedez, Hammarby, ka njoftuar se futbollisti i tyre, njëkohësisht reprezentuesi i Kosovës, Astrit Selmani, gjendet në gjendje të mirë shëndetësore.

Selmani pësoi një lëndim në ndeshjen që klubi i tij Hammarby e zhvilloi të dielën kundër Ostersunds, takim ky i luajtur në kuadër të xhiros së 24-të të Superligës së Suedisë.

Sulmuesi kosovar gjatë një dueli me një lojtar kundërshtar, u godit më bërryl në vetull dhe ra pa ndjenja në tokë.

Incidenti ndodhi në minutën e 40-të të ndeshjes dhe pasi mori tretman në fushë dhe iu kthye vetëdija, 24-vjeçari u dërgua në spital.

Tani gjendja shëndetësore e Selmanit, është jashtë rrezikut dhe këtë e ka konfirmuar vet klubi i tij në një komunikatë, derisa presin që sulmuesi i tyre të kthehet në stërvitje pas disa ditësh.

“Astriti i është nënshtruar një ndërhyrjes në spital, që është normale për këtë ngjarje. Përplasja i ka shkaktuar një tronditje. Ka marrë tre qepje për çarjen në vetull, por nuk ka pësuar lëndime të tjera. Astriti do të ketë disa ditë pushim, më pas do të rikthehet në stërvitje”, thuhet në komunikatën e klubit

Sa i përket ndeshjes së zhvilluar, Hammarby e fitoi me rikthim 4:3, derisa ata ishin duke humbur me rezultat 1:3.

Kujtojmë gjatë këtij edicioni, Selmani ka arritur të shënojë katër gola dhe të dhurojë gjashtë asistime.

Momentalisht Hammarby gjendet në pozitën e pestë në tabelë, me 40 pikë, shtatë më pak se vendi i parë, Djurgarden.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore