Gjykata Speciale

Halitjaha: Kam marrë pjesë në 10 beteja, jam plagosur 7 herë


Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadik Halitjaha.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadik Halitjaha, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale ka thënë se ka qenë më shumë se në 10 beteja, ku si pasojë është plagosur shtatë herë.

Sipas tij, të qenurit komandant lufte “s’ka qenë privilegj”, por “përgjegjësi dhe rrezik i madh”.

“E kam kuptuar këtë pasi kam qenë zv.komandant i zonës operative të Pashtrikut. Komandantët e vërtetë kanë qenë më të rrezikuarit, sepse në rregullat e UÇK-së ka qenë ejani pas meje, jo shkoni ju atje bëjeni luftën”.

“Unë kam qenë në vijën e parë të zjarrit, kam marrë pjesë në më shumë se 10 beteja, jam i plagosur dhe kam 7 plagë, kam rënë në pritë edhe aty kam marrë plagë. E kemi hapur pritën, duke i asgjësuar ata të pritës”, deklaroi ai.

Ai i përmendi disa shokë të tij që kanë rënë në prita të forcave paramilitare serbe.

“Kemi shumë raste që na kanë rënë në prita, kemi njerëz që janë vrarë në prita dhe i kanë shpëtuar njerëzit e tyre. Janë thënë shumë thashetheme për ata që janë vrarë në pritë, e që nuk ka pasur kush të tregojë si është vrarë e si është mbetur. Kemi rastin e Remzi Ademajn, Sakip Bellaqen me dy shokë që mbetet në pritë, Shaban Shalën”.

Ndërsa, theksoi se përgjegjësia e komandantëve nuk ishte për të luftuar, por kishte të bënte edhe me aspektet organizative dhe mbrojtjen e civilëve.

“Përgjegjësia është jo vetëm për të luftuar, por për ta organizuar betejën, për t’i drejtuar ushtarët, për t’i strehuar ushtarët, për t’u kujdesur për civilët. Në zonën time kam pasur rreth 200 mijë civilë që kanë qenë të mbrojtur nga UCK-ja, jemi përkujdes edhe me ushqim edhe me ilaçe, ka qenë përgjegjësi e madhe”.

Halitjaha, është dëshmitari i 36-të në Speciale i cili po gjykon në rastin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emmerson: Pretendohet se dëshmitari Halitjaha ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave, të cilat janë gjetur të vdekura

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore