Përballje

Hakmarrje për finalen e Tiranës, Feyenoord mposht Romën


Feyenoord ka shënuar fitore minimale me rezultat 1:0 ndaj Romës, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Evropës.

Kjo njëkohësisht mund të quhet edhe një lloj hakmarrjeje të holandezëve ndaj romakëve, pasi që në sezonin e kaluar u mposhtën në finalen e Ligës së Konferencës që u luajt në Tiranë.

Sa i përket ndeshjes, ajo ishte me një ritëm të lartë që nga fillimi e deri në fund, ku mbizotëronte një atmosferë e zjarrtë në stadiumin “De Kuip Arena”.

Holandezët ishin skuadër më e mirë me disa raste në pjesën e parë, kjo pasi që Roma mbeti pa lojtarin më të mirë të tyre, kur në minutën e 26-të u detyrua të zëvendësohej Paolo Dybala për shkak të një dëmtimi.

Megjithatë, rastin e parë e patën ekipi i Jose Mourinho-s, por në fundin e pjesës së parë nuk u tregua i saktë nga penalltia Lorenzo Pellegrini.

Pra, pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura, derisa 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, vendasit e gjetën golin e avantazhit.

Ishte Mats Wieffer që shënoi një supergol nga distanca, pas asistimit të Oussama Idrissi.

Në vazhdim, dyja skuadrat patën raste të mira për të shënuar, por rezultati mbeti i pandryshuar, me Feyenoord-in që do të udhëtojë në kryeqytetin e Italisë me epërsi minimale të krijuar nga ndeshja e parë.

Kujtojmë që ndeshja e kthimit në “Olimpico” do të zhvillohet të enjten tjetër.

Përveç humbjes, trajneri i Romës, Jose Mourinho, i ka humbur edhe dy futbollistë të rëndësishëm në këtë ndeshje: Paolo Dybala-n dhe Tammy Abraham, të cilët me shumë mundësi nuk do të luajnë në ndeshjen e kthimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore