Lajme

Hajdari: Vlera e rezervës shtetërore për vitin 2023 është 15 milionë euro


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomi ka deklaruar se “rezerva shtetërore është rritur shumëfish më shumë, për vitin 2023 krahasuar me vitet paraprake”.

Hajdari bëri të ditur se kjo rezervë do të jetë në vlerë 15 milionë euro.

Kjo ministri ka planifikuar që në vitin 2023 të emërojë 7 atashe ekonomike, ndërsa ka shtuar se “diplomacinë ekonomike do ta kemi prioritet për vitin e ardhshëm”.

“Jemi të kënaqur me buxhetin. Për 7 sektorët industrial, janë me rëndësi që të përkrahen për vitin e ardhshëm”, tha ajo.

Sipas ministres, Kosova duhet të ketë rezerva të naftës sepse ky mund të jetë kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kroacia ka pasur problem për anëtarësim ne BE, i ka ndihmuar Gjermani, edhe Kosova mund të has një problem te tillë për anëtarësim në BE dhe ky mund të jetë kusht edhe për Kosovën”.

Në Kosovë, muajt e fundit ka pasur rritje në çmimin e vajit, çmimin e bukës, çmimin e miellit, derivateve të naftës, biletave të autobusëve dhe taksive.

Në muajin mars, për shkak të luftës në Ukrainë e cila është duke vazhduar, qytetarët ishin vënë në alarm duke e perceptuar si kohë krize.

Komisioni për Ekonomi.

Edhe Hungaria më 4 mars, vend nga ku Kosova importon grurë dhe miell, ka ndaluar të gjitha eksportet e drithërave.

Janë këto situata të paparashikueshme shkak që qeveritë mbajnë rezerva shtetërore të produkteve esenciale.

Njohësit e fushës së ekonomisë gjatë intervistave për Albanian Post, kishin konsideruar se Kosova s’ka rezerva të vetat, “pasi prodhojmë grurë njëjtë si para 40 vitesh”, kishin deklaruar ata.

Por, pavarësisht situatës ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një nga mbledhjet e Qeverisë pati njoftuar se e kanë rritur rezervën shtetërore.

Në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore apo luftës, Kosova ka rezerva të mbulojë nevojat e domosdoshme për 20 mijë banorë në kohëzgjatje për 20 ditë.

Grumbullimi i rezervave shtetërore ka nisur qe pesë vjet.

Ato mund të shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste të luftës apo fatkeqësive të ndryshme natyrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore