Lajme

Hajdari dënohet me 700 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë


Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar ministren e Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari me gjobë prej 700 euro, të enjten e 29 dhjetorit.

Edhe pse Hajdari nuk është paraqitur në seancë, aktgjykimin ndaj saj e morri gjykatësja e rastit Donika Shala-Abdyli.

Hajdari është shpallur fajtore pasi ka qenë e njoftuar për pasojat ligjore të mosraportimit të pasurisë së saj e pavarësisht kësaj i ka shkelur dy afate – njërin në shkurt e njërin në qershor (afat shtesë).

Më 28 dhjetor, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kishte pranuar fajësinë për akuzat për mos deklarim të pasurisë.

Hajdari ka thënë se është këshilluar gabueshëm, që mundet të deklarojë pasurinë në fund të mandatit të ministrit.

“Unë duhet të ndihem në faj, meqë ka ndodhur një konfuzion, për shkak të pandemisë Covid-19, atëherë, është shtyrë afati ligjor, unë jam këshilluar që mundem të deklaroj pasurinë në fund të mandatit, kështu personalisht, fizikisht, kam shkuar vet në fund të mandatit”, tha Hajdari në gjykatë.

Më 14 tetor, për mosdeklarim të pasurisë ndaj Hajdarit ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit.

Lajmin për Albanian Post, e kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ndaj Hajdarit, ishte dorëzuar kallëzim penal nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AAK).

Këtë e kishte konfirmuar për Albanian Post, Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, i cili kishte thënë se bëhet fjalë për një rast të mëhershëm, sa ishte Hajdari ministre në Qeverinë Kurti 1, por që është proceduar tash.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), për zyrtarin në fjalë ka përcjell kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës”, kishte thënë Buleshkaj.

Ndryshe më 23 mars të vitit të kaluar, Hajdari pranoi detyrën e ministres.

Ajo kishte punuar si koordinatore për Arsimin e Lartë në Austrian Development Agency, një organizatë jo-qeveritare austriake që vepron në Kosovë.

Ndërkaq në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) emri i Rozeta Hajdarit figuron si pronare e një kompanie biznesore.

“R&V Consulting” është firma private, pronare e të cilës figuron të jetë Hajdari.

Ligji për deklarimin e pasurisë obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore