Gjykata Speciale

Hagë: Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të vazhdojë këtë të hënë, ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një njoftimi.

Duke filluar nga ora 9:00 ky proces do të vazhdojë me paraqitjen e provave nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve.

Javën e kaluar për tri ditë radhazi një dëshmitare ka dhënë dëshminë e saj në këtë proces.

Seancat kryesisht kanë qenë të mbyllura për publikun.

Në informimin javor të Dhomave të Specializuara u tha se të gjitha gjykimet janë publike, por gjykatësit në disa raste vendosin të kryerjen një pjesë të seancës në privat me qëllim të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit.

“Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve”.

“Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”, tha zëdhënësi Michael Doyle.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore