Shqipëria

Hackerat iranianë sulmojnë sërish Shqipërinë, në shënjestër sistemi TIMS


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, ka njoftuar se një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, pra Irani është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS.

Sipas tij, Irani tashmë është ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë.

“Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”.

Numri një i Qeverisë nuk dha detaje të tjera mbi sulmin apo efektet e tij.

Sistemi i menaxhuar i kontrollit te kufijve, TIMS, prej vitesh po përdoret në Shqipëri.

Ai bën të mundur që asnjë person me precedentë penal, apo i dënuar nga autoritete shqiptare dhe të huaja të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj.

Kjo pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazën për të gjithë shtetasit si dhe të gjitha informacionin e sistemit të Interpolit.

Gjithashtu, mbrëmjen e kaluar u raportuan nga qytetarët në Kapshticë – por jo vetëm – radhë të gjata kalimi, pasi sistemi nuk po funksiononte.

Zyrtarët Policorë thanë se kanë hapur regjistrat dhe po punojnë manualisht, me qëllim shmangien e radhëve të gjata, por nuk konfirmuan se kishin të bënin me ndonjë sulm.

Edhe në Rinas, mëngjesin e sotëm është krijuar një situatë e ngjashme.

Këtë javë, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke akuzuar Republikën Islamike për një sulm kibernetik në muajin korrik.

Kryeministri deklaroi të mërkurën e 7 shtatorit se kishte urdhëruar diplomatët dhe stafin iranian të mbyllnin ambasadën dhe të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Këshilli i Atlantikut të Veriut la të hapur mundësinë që aleanca mund të marrë në konsideratë “përgjigjen e mundshme kolektive”.

Mbrojtja kolektive, të cilit i referohet NATO në këtë rast, do të thotë që një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë aleatëve.

Ditën e djeshme, Departamenti Amerikan i Thesarit ka sanksionuar Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS) dhe Ministrin që e drejton atë për shkak të përfshirjes në aktivitete kibernetike kundër Shqipërisë.

Thesari amerikan zbulon hakerët që mund të fshihen pas sulmit kibernetik në Shqipëri

Ndërkohë në konsultim me gjigandin botëror të sigurisë kibernetike, Mandiant, Albanian Post ka analizuar gjasat e sulmeve të tilla të ardhshme, prejardhjen konkrete të agresionit kibernetik si edhe rrezikun me të cilin rajoni së fundmi është përballur, ku sulme ka pasur edhe në Kosovë dhe Malin e Zi.

Luke Jenskins, një analist madhor pranë Mandiant, ka shpjeguar për Albanian Post se vetë Qeveria iraniane ka një program të posaçëm e të sofistikuar të spiunazhit kibernetik, të cilin e përdor kundër shumë shteteve, edhe në aspekt të politikave globale që Republika Islamike ndjek.

Jenksins, ka përmendur këtu edhe raste të ndryshe, kur nga Teherani janë ndërmarrë sulme kundrejt Arabisë Saudite, Izraelit apo Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pavarësisht se emra konkretë të këtyre grupimeve nuk janë përmendur, kompania ka bërë me dije se po punon në disa pista, për të parë nëse ka një lidhje direkte me çështjen.

Megjithatë, eksperti e sheh tepër të vështirë përsëritjen e një sulmi të ngjashëm, duke qenë se grada e alertit është shumë e lartë tashmë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga aleatët e NATO-s.

Sulme të tjera kibernetike nga Irani mund të ndjekin, nga një agjenci e sofistikuar spinunazhi kibernetik

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore