Sport

Haaland: Dua të bëhem si Benzema


Erlind Haaland është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim në ditët e sotme.

Norvegjezi ishte kërkuar nga shumë klube të mëdha, përfshirë edhe Real Madrid-in, por në fund zgjodhi të transferohet në Manchester City.

Në fakt, 22-vjeçari mund të ishte pjesë e Real-it, por drejtuesit e klubit mbretëror ishin të fiksuar pas Kylian Mbappe-s dhe shumë të sigurt me formën e Karim Benzema-s dhe në fund e lejuan që të largohet në Premier Leauge.

Në një intervistë për “Fourfourtwo”, Haaland foli për këtë vendim.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por ne duhet të veprojmë gjithmonë në atë mënyrë që të mësojmë dhe të rritemi. Nuk duhet të ndaloni kurrë së dëshiruari të jeni më të mirë”, tha Haaland.

Pavarësisht se është njëri ndër sulmuesi më të fortë në qarkullim, Haaland thotë se dëshiron të bëhet si Benzema.

“Shikoni Benzema-n te Real Madrid-i. Ai është 34 vjeç dhe është bërë edhe më i mirë në dy sezonet e fundit se sa ishte më parë”.

“Ai është tepër i mirë. Unë dua të jem si ai, gjithmonë të përmirësohem”, përfundoi Haaland.

Kujtojmë që ish-sulmuesi i Salzburg-ut dhe Dortmund-it e nisi mjaft mirë aventurën në futbollin anglez, i cili në tri ndeshjet e para shënoi tre gola dhe dhuroi një asistim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore