Sport

Griezmann i gatshëm për t’u përballur me mbretërit e Madridit


Antoine Griezmann duket se po kthehet në potencialin e tij të plotë nën drejtimin e Diego Simeone dhe është e qartë të shihet se ai është po aq i motivuar sa kurrë pas kthimit në Atletico Madrid.

Pas një fitoreje të paharrueshme në Ligën e Kampionëve të martën dhe me Real Madridin në afërsi, Griezmann e di se presioni është në rritje për të ruajtur këtë nivel të performancës.

“Më duhet të vazhdoj kështu, është vetëm fillimi. Kam ardhur me shumë motivim, duhet të jap gjithçka në fushë dhe të jem një shembull i mirë brenda dhe jashtë saj,” tha Griezmann.

“Përpiqem t’i lexoj ndeshjet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tani duket se jemi në rrugën e duhur dhe shpresoj se kjo do të vazhdojë”.

Griezzman do përballet me Real Madrid-in i motivuar pas heroizmave të tij në Porto, ku ai hapi rezultatin për t’i dhënë Atletico-s epërsinë teksa përparonte në Champions League, ndryshe nga ish klubi i tij, Barcelona, ​​që u eliminua.

“Isha i befasuar sepse ata kanë qenë gjithmonë aty, ka pasur ndryshime, Leo Messi është larguar, shumë ndryshime në trajner, por duhet të jeni të durueshëm dhe të besoni në ekipin tuaj”, tha francezi për eliminimin e Barcelonës.

Griezmann kishte fjalë të mira edhe për lojtarët e rivalëve të Real Madrid-it, ku tha se ata kanë një ekip shumë të mirë, por Atletico do ti përmbahen lojës së tyre.

“Vinicius po luan shumë mirë, në një nivel të jashtëzakonshëm, Karim Benzema është shumë i mirë në klub dhe për vendin e tij, në fund ne duam lojtarët më të mirë në fushë dhe do të ishte turp nëse ata nuk do ishin prezent”, tha Griezmann.

“Unë mendoj se ata kanë lojtarë në bankën rezervë që do të thotë se ata mund të luajnë një njëmbëdhjetëshe perfekte për këtë lojë dhe ne do t’i përmbahemi lojës sonë”.

“Liga është shumë e gjatë, jemi në dhjetor dhe ka shumë ndeshje për të luajtur, gjithçka mund të ndodhë sepse ne e dimë se si është futbolli”, përfundoi Griezmann.

Griezmann pritet të startojë për Atletico-n dhe do të kërkojë të shtojë në shtatë golat e tij të shënuar që nga kthimi në kryeqytetin spanjoll nga Barcelona.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore