Gjykata Speciale

Griep: Kushtet për lirimin e Gucatit do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit


Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Angela Griep.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Angela Griep, përmes informimit javor ka deklaruar se marrje e vendimit për lirimin e parakohshëm të Hysni Gucatit, është bërë duke u bazuar në disa kushte.

Ajo ka theksuar se këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë ndaj Gucatit.

“Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, më 12 tetor 2023 vendosi të modifikojë dënimin e z. Hysni Gucati për lirimin e tij në bazë të disa kushteve”.

“Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit. Z. Gucati mbërriti në Kosovë më 17 tetor 2023”, deklaroi ajo.

Po ashtu, ajo theksoi se Nasim Haradinaj, ka precedent disiplinor në Njësinë e Paraburgimit, prandaj ndaj të njëjtit është urdhëruar që të paraqitet raport për sjelljen e tij gjatë kësaj kohe.

“Po më 12 tetor, kryetarja vendosi se do të shqyrtojë modifikimin e dënimit të z. Nasim Haradinaj pasi të ketë marrë një raport nga Administratorja, Fidelma Donlon, lidhur me sjelljen e z. Haradinaj gjatë qëndrimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së”.

Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ndonëse, kryetarja mori parasysh një sërë faktorësh që mund të jenë në favor të modifikimit të dënimit, ajo thekson se z. Haradinaj ka precedent disiplinor në Njësinë e Paraburgimit. Për këtë arsye, kryetarja urdhëroi administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar, në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij”, tha Griep.

Ajo tutje ripotencoi se ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit Griep më 16 tetor iu është vazhduar masa e paraburgimit.

“Trupi gjykues theksoi më tej atmosferën e vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe të ndërhyrjes në procese penale kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë arsye, trupi gjykues doli në përfundimin se ekziston ende rreziku që z. Thaçi dhe z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor dhe/ose të kryejnë krime të tjera”

Sa i përket gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Griep tha se gjatë kësaj javë kanë dhënë në seancë të mbyllur dëshmitë e tyre dëshmitari i 29-të dhe 30-të në këtë proces si dhe seanca e radhës është caktuar për 30 tetor.

Po ashtu, u njoftua se seanca vijuese në çështjen ndaj Pjetër Shalës do të mbahet më 23 tetor.

“Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, versioni publik i vendimit mbi kërkesën urgjente të mbrojtjes për lirim të përkohshëm të z. Shala për arsye humanitare, i datës 17 gusht, u bë publik. Trupi gjykues e rrëzoi kërkesën me arsyetimin se mbrojtja e z. Shala nuk paraqiti informacion thelbësor për këtë vendim”.

“Sidoqoftë, trupi gjykues theksoi se ky vendim nuk paragjykon kërkesa të ngjashme që mbrojtja mund të dorëzojë në të ardhmen. Seanca vijuese në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 23 tetor në orën 9:30 të mëngjesit. Të gjitha parashtrimet e protokolluara publike dhe vendimet që përmenden këtu gjenden në faqen e internetit të DHSK-së”, u tha tutje.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Specialja konfirmon lirimin e Gucatit për AP: U zotua se do t’i përmbush të gjitha kushtet e përcaktuara

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore