Gjykata Speciale

Specialja konfirmon lirimin e Gucatit për AP: U zotua se do t’i përmbush të gjitha kushtet e përcaktuara


Hysni Gucati.

Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar lirimin e ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Përmes një përgjigje për Albanian Post nga Specialja kanë thënë se për lirimin e tij të përkohshëm janë marrë parasysh disa faktorë që kanë peshuar në favor të Gucatit.

“Kryetarja mori parasysh se megjithëse veprat penale për të cilat z. Gucati u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij”.

“Vlen të theksohet, se Kryetarja konstatoi se z. Gucatit pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe se sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës. Kryetarja theksoi shprehjet e pendesës së z. Gucati, në veçanti, veçanërisht faljen, gjatë seancës gojore, që ai shprehimisht u kërkoi të gjithë atyre që mund të ishin ndier të kërcënuar nga veprimet e tij”.

Gjykata Speciale.

Tutje nga Specialja është thënë se kanë marrë zotimin e Gucatit se do t’i zbatoj kushtet e përcaktuara për lirimin e tij.

“Gjithashtu, kryetarja, vuri në dukje zotimin e vendosur të z. Gucati se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se z. Gucati nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Ndërsa është pohuar se ky është i parë në lidhje me ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit.

“Procedura për ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit është procedurë individuale”.

“Kur personi I dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet”.

Emin Lati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Skenderaj, ka thënë për Albanian Post se tashmë ka arritur në zyrën e EULEX-it në Kosovë, ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili është liruar me kusht nga Gjykata Speciale.

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore