Gjykata Speciale

Gucati arrin në Kosovë – “ndodhet në zyrat e EULEX-it”


Emin Lati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Skenderaj, ka thënë për Albanian Post se tashmë ka arritur në zyrën e EULEX-it në Kosovë, ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili është liruar me kusht nga Gjykata Speciale.

“Po ka ardhur në Kosovë dhe ndodhet në zyrat e EULEX-it”, tha shkurtimisht Lati.

Për ta konfirmuar ardhjen e Gucatit në Prishtinë, Albanian Post ka pyetur edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, por nga institucion i drejtësisë nuk kanë kthyer përgjigje.

Megjithatë, një ditë më parë, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, tha se avokatët të Gucatit i kanë konfirmuar atij se Specialja do ta lirojë me kusht Gucatin nga burgu.

“Dje kam biseduar me avokatët dhe më kanë treguar që është marrë vendimi për lirimin e Hysni Gucatit. Ai pritet të vije në Kosovë javën e ardhshme”, tha Klinaku të hënën.

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore