Lajme

Greva nuk është mbyllur, por është pezulluar


BSPK

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, konkretisht kryetari i Këshillit të Grevistëve, Rrahman Jashari ka bërë të ditur në një konferencë për media se greva e përgjithshme e nisur më 25 gusht në arsim dhe administratë publike nuk është mbyllur, por është pezulluar deri në janarin e vitit 2023.

Pezullimi i grevës në fjalë, sipas Jasharajt ka ardhur pas votimit, pro apo kundër vazhdimi të grevës nga anëtarët e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, i cili u mbajt të premten.

“Greva nuk po mbyllet, por po pezullohet deri në janarin e vitit 2023 bazuar në vullnetin e deklaruar të anëtarësisë. Rezultat e deklarimeve u panë se janë me diferencë jo shumë të madhe. Uroj që qeveria ta ketë marrë një mesazh të qartë për grevën, uroj që qeveria të mos e merr këtë deklarim tonin për pezullim si fitore, sepse nuk ka fituar askush”, ka thënë Jasharaj.”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj më tej në fjalimin e tij ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta mbajë fjalën për Ligjin e Pagave.

“Nga Qeveria kërkojmë që të takohemi për një dialog të sinqertë për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë e që janë bërë publike, uroj që Qeveria dhe Parlamenti ta mbajnë fjalën për ligjin e pagave për ndryshimin e ligjit për skemat pensionale e sidomos për kriterin diskriminues për 15 vite të kontributdhënësve të para vitit 1999”.

Orët e humbura të mësimit, sipas Jasharajt nuk do të zëvendësohen.

“Sa i takon orëve të humbura, me kontratën kolektive që e kemi nënshkruar me Ministrinë e Arsimit thuhet qartë se orët e humbura në grevë nuk do të mbahen. Unë uroj që MAShT-i të mos dalë me deklarata kërcënuese”.

Pagat e grevistëve për shtator dalin të hënën

Në anën tjetër kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, në të njëjtën konferencë ka bërë të ditur se procedimi i pagave për grevistët, për muajin shtator, do të ndodhë të hënën.

“Sa i përket pagave, kam pasur sot kontakte me partnerin social, sipas tyre ka ndodhur një gabim teknik dhe besoj se të hënën do të dalin”, ka thënë Hyllolli.

Ndryshe një ditë më parë Anëtarësia e SBASHK-ut ka pranuar propozimin për pezullimin e grevës në arsim, duke bërë të ditur se të hënën fillon mësimi.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

“Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88 për qind, ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12 për qind”, ishte thënë në njoftim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore