Lajme

Greqia do t’i emërtojë valët e të nxehtit, ashtu si stuhitë


Të nxitur nga temperaturat rekord të verës 2021, shkencëtarët grekë kanë filluar të diskutojnë mbi marrjen e masave parandaluese, për atë që ekspertët e kanë quajtur si “vrasësin e heshtur”.

Greqia ka përjetuar dy periudha të tё nxehtit ekstrem që nga muaji qershor – të dyja jashtëzakonisht të gjata dhe intensive – me valën e dytë që zgjati gati tri javë.

Një rritje e re e temperaturave javën e kaluar e pa Athinën edhe një herë viktimë tё zjarreve periurbane, me flakë shkatërruese që shpërthyen në veri-perëndim të kryeqytetit.

Kostas Lagouvardos, drejtor kërkimi në Observatorin Kombëtar të Athinës, për agjencinë mediatike “Observer” tha se, nxehtësia ekstreme është nënvlerësuar.

“Kjo verë shumë e nxehtë na ka dhënë një pamje të një klime të ardhshme në 20 ose 30 vjet, ku ka të ngjarë të kemi periudha shumë të gjata të temperaturave shumë të larta. Ndryshe nga ngjarjet e tjera të pafavorshme të motit, ju nuk mund të shihni nxehtësi ekstreme”, tha ai.

Sipas tij, ёshtё thelbёsore qё autoritetet shtetёrore dhe qytetarёt tё jenё tё vetёdijshёm pёr rreziqet.

“Ata do të bëhen më të vetëdijshëm për problemet e mundshme që mund të shkaktojnë në jetën e tyre dhe pronat e tyre. Valët e të nxehtit shkaktojnë shumë vdekje, nuk bëjnë zhurmë dhe mund të mos jenë të dukshme, por janë një vrasës i heshtur”.

Megjithatё, Greqia nuk ka qenё e vetmja qё ka përjetuar temperatura ekstremisht tё larta kёtё verё.

Më 11 gusht, temperatura arriti 48.8 gradë celsius në Syracuse tё Sicilisё (më e larta e regjistruar në Evropë), me valё tё tё nxehtit që shpërthyen në të gjithë Mesdheun.

Por në një rajon të konsideruar si një pikë e nxehtë e krizës klimatike, Athina është metropoli më i nxehtë i Evropës kontinentale, i veçuar në studime të përsëritura se ka të ngjarë të vuajë jashtëzakonisht nga pasojat e një planeti më të ngrohtë.

Më 3 gusht, temperatura më e lartë ndonjëherë qё ka parё vendi, prej 47.1 gradё celsius u shёnua në Greqinë Veriore.

Zjarret e mёdha, pёr disa prej tё cilave fajёsohen zjarrvënësit, kanë konsumuar zona të mëdha toke javët e fundit, duke shkatërruar shtëpitë dhe çuar në evakuime masive, më së shumti në Evia, ishulli i dytë më i madh i kombit.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u detyrua të kërkojë falje pas kritikave të ashpra mbi administrimin e zjarreve.

“Duhet të ndryshojmë në mënyrë drastike mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike, ndërtimin e ndërtesave tona, prodhimtarinë dhe lëvizjen. Kriza klimatike po godet”, tha ai pёr CNN.

Rënia, tё cilёn Mitsotakis e përshkroi gjithashtu si fatkeqësinё më tё madhe ekologjike e kombit në dekada, ka qenë e madhe, me udhëheqësin gjithashtu tё detyruar qё të shpallë një paketë ndihme prej 500 milionë eurosh dhe të krijojë një post të ri ministror që mbikëqyr shërimin nga fatkeqësitë natyrore.

Më shumë se 20 vende dërguan zjarrfikës, pajisje dhe aeroplanë në Greqi.

Katër vjet më parë, meteorologët grekë filluan t’i emërtojnë stuhitë e dimrit dhe fenomene të tjera të motit të pafavorshëm, pasi sfidat ndaj jetës dhe pronave ishin tё dallueshme qartё.

Lagouvardos, i cili u trajnua në Francë dhe është shefi meteorolog i Observatorit, tha se renditja e valëve të nxehtësisë do të ishte “më e ndërlikuar” sepse kategorizimi përfshinte në mënyrë të pashmangshme matjen e shpërndarjes së temperaturës dhe dendësisë së popullsisë.

Por, në përgjithësi, valët e nxehtësisë ishin më të lehta për t’u parashikuar në intensitet dhe kohëzgjatje sesa stuhitë. Nëse temperaturat mbi 40 gradë Celsius do tё vazhdonin për më shumë se një javë, shkencëtarët grekë besuan se ato duhet të emërohen, sipas tij.

Athina ёshtё bёrё ndёr qytetet e pakta nё tё gjithё globin, qё ka emёruar njё oficer kryesor tё ngrohjes.

Eleni Myrivili e mori rolin mё pak se njё muaj mё parё dhe e konsideron nismёn si njё ndryshuese tё mundshme tё lojёs, nё mёnyrёn e menaxhimit tё temperaturave ekstreme.

“E gjithë ideja për t’i bërë valët e nxehtësisë më të dukshme, duke i emëruar dhe kategorizuar ato sipas ashpërsisë, do të ishte një pikë kthese. Kjo do t’i ndihmonte njerëzit të kuptojnë rrezikun që po shfaqet, ndërkohë që do t’u mundësonte vendimmarrësve të nxisnin politika që do t’i mbronin më mirë ata”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore