Aplikacione

Google-i nis platformën e lajmeve në Indi


Në Indi, kompania teknologjike, Google, ka nisur platformën e saj të lajmeve të quajtur Showcase me 30 botues vendas.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se kjo lëvizje e Google-it ka ardhur në një kohë kur vendi po përpiqet të heqë informacionet e rreme që kanë kapluar valën e dytë të COVID-19.

Kjo pasi indianët janë bërë gjithnjë e më të varur nga platformat e mediave sociale për të siguruar informacione në lidhje me krizën kritike të mungesës së furnizimeve mjekësore. Në këto platforma të mediave sociale përfshihet në masë Facebook-u, Twitter-i dhe Instagram-i.

Për përmbajtjen e botuesve në internet, Google-i pritet të paguajë partnerët dhe t’i lejojë ata ta ‘kurojnë’ këtë përmbajtje të tyre.

Në krahun tjetër, Google-i pritet t’u ofrojë përdoruesve të kenë qasje të kufizuar te historitë pa pagesë.

Ndërkohë, kompani nuk ka zbuluar detaje të mëtejshme që kanë të bëjnë me çështjen financiare.

“Njoftimi i sotëm vjen në një moment veçanërisht sfidues në Indi, me indianët që kërkojnë lajme dhe informacione autoritare teksa kriza e COVID-10 thellohet”, ka shkruar kompania teknologjike në blog.

Lidhur me situatën e rëndë në Indi, vendi i dytë më i populluar në botë është duke kaluar një nga shqetësimet më të rënda ku ngarkesa e përgjithshme e rasteve të coronavirus-it ka kaluar shifrën e 25 milionëve.

As qeveria vendase nuk ka qëndruar e heshtur ndaj platformave të medias sociale. Gjatë muajit të kaluar, ajo i ka kërkuar Twitter-it të heqë me dhjetëra postime, të cilat konsideroheshin kritike për trajtimin e shpërthimit të virusit.

Showcase u lancua në fund të vitit të kaluar dhe ka qenë i disponueshëm në më shumë se 12 vende të botës. Në to përfshihet Gjermania, Brazili dhe Mbretëria e bashkuar.

Google-i ka pohuar se përmbajtja e partnerëve indianë në anglisht dhe hindisht do të fillojë të shfaqet në panalet e lajmeve në seksionin Google News dhe në Discover.

Përpos premtimit të 18 milionë dollarë fondeve të reja për Indinë, Google-i do të ofrojë edhe mbështetje reklamuese për fushatat e shëndetit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore