Aplikacione

Google-i e lë të lirë fushën e lojës për motorët e kërkimit në Evropë


Kompania teknologjike, Google, është përgjigjur ndaj presionit të rivalëve duke i lejuar ata të konkurrojnë falas për të qenë motorët e parazgjedhur të kërkimit në pajisjet Android në Evropë.

Lëvizja e kryer ka zgjeruar edhe një premtim të dy viteve më parë, për rregullatorët e antitrustit në Bashkimin Evropian.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se masa e marrë nga Google-i vjen teksa blloku prej 27 vendesh po konsideron rregulla, të cilat mund të futen vitin e ardhshëm për të detyruar Google-in, Amazon-in, Apple-in dhe Facebook-un që të sigurojë një hapësirë të barabartë për konkurrencën.

Afro katër të pestat e telefonave inteligjentë në botë funksionojnë përmes sistemit operativ Android të Google-it.

Në vitin 2019, kompania amerikane e teknologjisë ka thënë se rivalët do të duhet të paguajnë përmes një ankandi për t’u shfaqur në një ekran zgjedhjeje në pajisjet e reja Android në Evropë nga të cilat përdoruesit zgjedhin motorin e tyre të preferuar të kërkimit.

Por, kjo pasoi një gjobë prej 4.24 miliardë euro ose ndryshe 5.16 miliardë dollarë të dhënë në vitin 2018 nga Komisioni Evropian, i cili është autoriteti antitrust i Bashkimit Evropian, për përdorimin e padrejtë të Android-it për të forcuar dominimin e motorit të tij të kërkimit.

“Tani po bëjmë disa ndryshime përfundimtare në Choice Screen duke përfshirë pjesëmarrjen falas për ofruesit e kualifikuar të kërkimit. Ne gjithashtu do të rrisim numrin e ofruesve të kërkimit të shfaqur në ekran”, ka shkruar drejtori i Google-it, Oliver Bethell, në një postim në blog.

Në blog shtohet gjithashtu se ndryshimet do të hyjnë në fuqi në muajin shtator.

Komisioni ka bërë të ditur se pas shqetësimeve të ngritura nga një numër rivalësh të Google-it, kishte nisur diskutimin e ndryshimeve të mundshme me kompaninë duke shtuar se lëvizjet e njoftuara ishin zhvillime pozitive.

Nga ana tjetër, vetë kompania ka sqaruar se pesë motorët e kërkimit më të njohur në çdo vend të BE-së sipas StatCounter, përfshirë Google-in, do të shfaqen në mënyrë të rastësishme në pjesën e sipërme të ekranit ndërsa deri në shtatë do të shfaqen në pjesën e poshtme të tij.

Kjo pasi më parë kishte lejuar që vetëm katër nga konkurrentët, të zgjedhur në ankande të veçanta për secilin vend të BE-së, të shfaqeshin në ekranet Android.

Mirëpo, DuckDuckGo, një motor rival kërkimi, i cili ka kohë që është ankuar në lidhje me procesin e ankandit, është shprehur që Google-i duhet të shkojë më tej.

“Google-i po bën tani atë që duhet të kishte bërë tre vjet më parë: një menu preferencë kërkimi falas në Android për BE-në”, ka shkruar në Twitter shefi ekzekutiv i kompanisë, Gabriel Weinberg.

Ecosia, një tjetër motor kërkimi, i cili së bashku me katër rivalë të tjerë u ankuan për propozimin fillestar të Google-it në Komision vitin e kaluar, i ka mirëpritur ndryshimet.

“Me këtë, ne kemi diçka që i ngjan një fushe loje të barabartë në treg”, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë, Christian Kroll, në një deklaratë.

Ai ka shtuar se “ofruesit e kërkimit tani kanë një shans për të konkurruar më drejt në tregun Android, bazuar në tërheqjen e produktit të tyre, në vend që të mbyllen nga sjellja monopolistike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore