Lajme

Gjykata Themelore anulon vendimin e Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve


Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka cilësuar si të kundërligjshëm vendimin Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të datës 23 nëntor të vitit 2022.

Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin Qeverisë së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të datës 23 nëntorit të vitit 2022, duke e lënë kështu në fuqi vendimin e 12 shkurtit 2020.

Gjykata ka vlerësuar se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë nuk mund të ulen gjatë mandatit të tyre, pasi që janë të drejta të fituara dhe të garantuara me ligj dhe si të tilla nuk mund të cenohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kështu Gjykata ka aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses – Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët nga ekzekutivi.

“Gjykata në frymën e Kushtetutës së Kosovës, dispozitave ligjore të lartcekura, Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, instrumenteve ndërkombëtare dhe praktikave gjyqësore të vendeve të ndryshme evropiane erdhi në përfundim se, vendimi kontestues i të paditurës nuk është i bazuar në ligj, andaj gjykata, kërkesëpadinë e paditëses e aprovoi si të bazuar duke anuluar vendimin e të paditurës, Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Sipas Themelores, ky vendim vlen deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me rastin për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e kryesuesit Jetish Maloku, përmes një njoftimi për media, KPK pati bërë të ditur se ky vendim është kundërkushtetues dhe kundërligjor, si dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial.

Ndryshe, vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin e nxjerrë në vitin 2017 nga kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore