Lajme

Gjykata lë në arrest shtëpiak dy zyrtarë të komunës së Klinës dhe tre të Istogut


Komuna e Klinës

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit, duke caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj ndaj zyrtarëve të Komunës së Klinës dhe Istogut të dyshuar për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Të pandehurit e Komunës së Klinës janë drejtori Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, L.M dhe A.G. zyrtar pranë kësaj drejtorie.

Zyrtarët e Komunës së Klinës, sipas njoftimit, shihet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit dhe dobisë pasurore.

“Të pandehurit L.M dhe A.G nga data 20.09.2019 e në vazhdimësi deri me datë 09.11.2020, në objektin e K.K, duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri L në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, ndërsa i pandehuri A në cilësinë e zyrtarit pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim”.

Të dyshuarit po ashtu akuzohen se pa zbatuar ndonjë plan rregullues urban lëshojnë lejen ndërtimore e më pas lëshojnë lejen ndërtimore për mbindërtim, edhe përkundër faktit se për hartat zonale është dhënë pëlqim nga MMPHI-ja, por ende nuk është aprovuar Plani i ri zhvillimor komunal dhe me këtë investitorit i’a mundëson përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit.

Kurse të pandehurit e Komunës së Istogut janë e drejtori për Planifikim Urban dhe Mjedis J.B, dhe dy zyrtar pranë kësaj drejtorie RR.G dhe R.B.

“Të pandehurit J.B, RR.G dhe R.B, me datat 16.10.2020, 28.09.2020 e gjerë me datën 04.11.2020 si dhe me datë 14.12.2020 në objektin e K.I, duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri J në cilësinë e drejtorit për Planifikim Urban dhe Mjedis, ndërsa të pandehurit RR dhe R, në cilësi te zyrtarëve pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim si dhe Planin Zhvillimor Komunal”.

Ndërsa thuhet se këta kanë lëshuar leje “ndërtimore për ndërtim, në atë mënyrë që të pandehurit duke qenë në dijeni se ngastra kadastrale për të cilën është parashtruar kërkesa për dhënien e lejes ndërtimore nga investitorët ndodhen në bllokun ku sipas planit zhvillimor është paraparë ndërtimi me etazhitet të caktuar, me rastin e lëshimit te lejes ndërtimore konstatojnë se kinse ngastrat kadastrale ndodhen në bllokun tjetër dhe me këtë veprim investitorëve i’u lejojnë ndërtimin me etazhitet më të lartë dhe i’a mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka refuzuar propozimin e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës E.B.

“E pandehura E.B me datë 21.9.2018, në objektin e K.I, në cilësi të personit zyrtar, zyrtare për Mjedis pranë Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis, merr pjesë personalisht në çështje zyrtare për të cilën e ka ditur se një anëtar i familjes së saj ka interes financiar, në atë mënyrë që, e pandehura si zyrtare për mjedis, subjektit ekonomik në të cilën bashkëpronar është kunati i të pandehurës, i’a lëshon dhe nënshkruan lejen mjedisore me te cilën investitorit i njihet e drejta e lejes mjedisore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor”.

Palët kanë të drejtë anekse në Gjykatën e Apelit.

“Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”.

Ky aksion është bërë me autorizim të Kryeprokurorit Agim Kurmehaj, në bashkëpunim me prokurorë të tjerë të kësaj prokurorie dhe Policinë e Kosovës.

Aksioni gjithashtu është mbikëqyrur nga prokurori Kurmehaj dhe në terren kanë qenë të angazhuar gjashtë prokurorë, të cilët janë shoqëruar nga njësitë përkatëse policore dhe inspektorët e ndërtimit, në secilën nga komunat e lartcekura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore