Lajme

Aksioni i prokurorisë dhe policisë – bastisen tre komuna në Dukagjin


Ilustrim

Prokuroria Themelore e Pejës në koordinim me Policinë e Kosovës ka nisur një aksion në tre komuna, Pejë, Istog dhe Klinë, ku cak i bastisjes janë drejtoritë e Urbanizmit.

Për aksionin, i cili po zhvillohet në komunën e Istogut, për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj komune, Jeta Balaj.

“Nuk kemi informata lidhur me arsyen e aksionit, momentalisht ata janë duke e hetuar Drejtorin e Urbanizimit në Komunën e Istogut”, është përgjigjur Balaj.

Albanian Post ka kontaktuar edhe Nënkryetarin e Komunës së Istogut, Agim Ademaj, por ai nuk ka pasur informacione rreth zhvillimit të aksionit në komunën ku ai drejton.

“Po, njësia speciale është në komunë dhe është duke i kryer punët e veta, nuk kemi informacione shtesë”, ka thënë Ademaj.

Ndërsa nga komuna e Pejës nuk është përgjigjur askush deri tani.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se aksioni i Policisë së krimeve ekonomike është duke u zhvilluar në këto tre komuna të Dukagjinit, pa dhënë më shumë detaje “pa përfunduar aksioni nuk mund të jap informacione më të detajuara”.

Pak pas këtyre komunikimeve, Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se kanë ndërmarrë një aksion në komunën e Pejës, Klinës, Istogut, Deçanit e Junikut, me qëllim të identifikimit të ndërtimeve pa leje.

Përkatësisht për dyshimet se në këto komuna mund të jenë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe Ndërtimi pa leje”.

Ky aksion është bërë me autorizim të Kryeprokurorit Agim Kurmehaj, në bashkëpunim me prokurorë të tjerë të kësaj prokurorie dhe Policinë e Kosovës.

Aksioni gjithashtu është mbikëqyrur nga prokurori Kurmehaj dhe në terren kanë qenë të angazhuar gjashtë prokurorë, të cilët janë shoqëruar nga njësitë përkatëse policore dhe inspektorët e ndërtimit, në secilën nga komunat e lartcekura.

Në njoftimin e prokurorisë nuk jepen më shumë detaje, por bëhet e ditur se ky aksion ka rezultuar me identifikimin e disa rasteve të ndërtimeve pa leje, për të cilat prokuroria do të vazhdojë hetimet e nevojshme për zbardhjen e këtyre veprave penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore