Shqipëria

Gjykata Kushtetuese bëhet funksionale


Është betuar përpara presidentit Ilir Meta anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, Përparim Kalo.

Arrihet në këtë mënyrë, pas tre vitesh, kuorumi minimal prej gjashtë anëtarësh për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

Ditën e djeshme, menjëherë pas propozimeve të Këshillit të Emërimeve  në Drejtësi (KED), presidenti Meta ka emëruar juristin Përparim Kalo si anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Kalo u rendit i pari në listën e propozuar nga KED-ja.

Ai ka një eksperiencë  rreth 30 vjeçare si ekspert i drejtësisë dhe çështjeve ligjore.

Përpara dy ditësh, betohej anëtari i pestë i Kushtetueses, Altin Binaj. Propozimi i prokurorit Binaj erdhi nga Parlamenti.

Ndërkohë pritet edhe një emërim tjetër i shpejtë për gjyqtarin e shtatë që do të bëhet pjesë e trupës.

Ngërçi i cili zgjati tre vite, duke pamundësuar fillimin e punës së Kushtetueses, është zgjidhur brenda pak ditësh me dinamika shumë të shpejta.

Çështja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një ndër më të përfolurat në vitet e fundit. Akuza të shumta janë hedhur nga të gjitha palët politike ndaj njëra – tjetrës.

Presidenti Meta e ka cilësuar si çështjen më jetike të jetës politike në vend emërimin e gjyqtarëve, pasi “vetëm kështu mund të mbrohet çdo rresht i Kushtetutës”.

Reagime të shumta pozitive erdhën nga eksponentët e huaj në Shqipëri. Pritet ende ndërkohë një koment nga kryeministri Edi Rama. Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ka komentuar mbi fillimin e punës së Gjykatës Kushtetuese./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore