Shqipëria

Gjykata e Tiranës njeh Bashën si kryetar legjitim të PD-së


Gjykata e Tiranës e ka thënë zyrtarisht: Lulzim Basha, është kryetari legjitim i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Nëpërmjet një shkrese të datës 24 janar 2022, sekretarja e Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Tiranës, Besa Korbeci, e ka bërë me dije faktin, se me urdhër 12 datë 19.12.1990 të Ministritë të Drejtësisë, është miratuar krijimi i Partisë Demokratike me iniciale PD ose PDSH dhe kryetari i saj, është Lulzim Basha.

Një fakt i tillë, është përmendur edhe nga kërkesa që Partia Demokratike, ka paraqitur mbrëmjen e 25 janarit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për regjistrimin në procesin e zgjedhjeve lokale të pjesshme më 6 mars.

“Bashkëlidhur me vërtetimin e gjykatës së rrethit Tiranë i cili konfirmon se me urdhrin e ministrit të drejtësisë numër 12, datë 19.12.1990 është miratuar krijimi i partisë demokratike dhe ky dokumentacion është depozituar në zyrën e regjistrimit të partive. Kryetari Lulzim Basha është personi i vetëm i  autorizuar të paraqesë në emër të partisë kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme”.

Kështu shkruan Partia Demokratike në paraqitjen e dokumentacionit.

Një vendim i tillë i Gjykatës së Tiranës, nxjerr tërësisht jashtë loje për kërkesa të mëtejshme lidhur me pretendime në PD, ish kreun e saj, Sali Berisha.

Vetë ky i fundit, me përfaqësimin e Ivi Kasos në punimet e KQZ-së të datës 23 janar, pretendoi se duhet të ishte përfaqësues i demokratëve, falë vendimeve të Kuvendit të mbajtur më 11 dhjetor 2021, kur Berisha pretendon se e ka shkarkuar Bashën nga kreu i bluve.

Mirëpo, diçka të tillë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ia ka mohuar Kasos. Ai e ka vënë në dijeni se përfaqësues ligjor i PD-së është Lulzim Basha, dhe ky i fundit ka të drejtë të japë emrat e përfaqësuesve ligjorë të demokratëve në KQZ.

Nga pala e Berishës, një reagim mbi këtë fakt ende nuk ka. Por, ish-kryeministri i vendit, e ka thënë qartë se pjesë në zgjedhjet e 6 marsit, do të jetë me lëvizjen e tij.

Veçse, tashmë është e sigurt – si pjesë e PD-së, jo!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore