Shqipëria

Gjykata e Shkodrës lë në burg gruan që hodhi tragjikisht foshnjën në lum


32-vjeçarja me iniciale O.G., e cila hodhi tragjikisht foshnjën e saj në lumin Kir, u la në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.

Drejtori i maternitetit të Shkodrës, Senad Halluni, deklaroi më herët se gruaja kishte refuzuar më herët regjistrimin e atësisë së fëmijës.

Policia e Shkodrës njoftoi zyrtarisht se shtetasja, e cila ishte banuese në fshatin Myselim, e ka hedhur trupin e foshnjës në lumë mbrëmjen e 6 janarit dhe është larguar nga vendngjarja.

Mëngjesin e 7 janarit ndërkohë, trupi i mbytur është gjetur dhe është bërë menjëherë arrestimi i shtetases, e cila tashmë gjendet nën akuzën e veprës penale “Vrasja me dashje”.

“Zonja ka refuzuar regjistrimin e atësisë së fëmijës. Ne kemi një protokoll për këtë proces. Ka rezultuar me një lindje normale në 30 janar, mashkull 3 kilogramë e 250 gramë. Zonja ka kërkuar dorëzimin në shtëpinë e foshnjës”, u shpreh fillimisht Halluni.

Sipas tij, më pas është bërë njoftimi i drejtorisë së shtëpisë së foshnjës për procedurat.

“Më datë 4”, shtoi shefi i maternitetit, “kemi kryer procedurat për t’u transferuar në shtëpinë e foshnjës, por ka refuzuar më pas”.

Në përmbyllje, zbulon mjeku, 32-vjeçarja ka nënshkruar që merr përsipër marrjen e foshnjës dhe ka dalë nga ambientet e maternitetit të Shkodrës.

Kujtojmë që materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore