Shqipëria

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion: 90% e çështjeve u shqyrtuan gjatë 2020-ës


Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka bërë bilancin e vitit të parë të punës, duke pohuar se 90% e çështjeve janë shqyrtuar që prej formimit në 19 dhjetor 2019.

Pavarësisht një viti të vështirë për shkak të ndalimit të punës në gjykata për shkak të pandemisë, në bilanc bëhet me dije se antikorrupsioni e ka përballuar ngarkesën e madhe të çështjeve gjatë vitit 2020.

Numri tërësor i çështjeve të sjella në gjykatë gjatë 2020-ës ka qenë 2 mijë e 73. Pjesa më e madhe kanë qenë kërkesa gjatë fazave të hetimeve. Nuk kanë munguar dhe kërkesat për sekuestro, kryesisht bazuar në ligjin antimafia.

Pjesa më e madhe e çështjeve, rreth 90%, janë shqyrtuar tashmë nga antikorrupsioni.

Antikorrupsioni ka caktuar masa sigurimi për 124 të dyshuar. 110 të pandehur janë gjykuar, nga të cilët pjesa më e madhe për krim të organizuar. Në shqyrtim janë dhe 208 të pandehur të tjerë.

Kërkesa për sekuestrim/konfiskim parasurie ka pasur gjithsej 164. Ndërkohë sipas ligjit antimafia, janë dhënë urdhra për konfiskimin e tre sipërfaqeve troje dhe 17 apartamenteve. Janë pranuar gjithashtu 115 kërkesa të tjera për sekuestrim pasurie. Në shqyrtim janë 49 kërkesa të tjera për konfiskim pasurie.

Gjatë 2020-ës, Gjykata e Posaçme ka punuar me numër të reduktuar anëtarësh. Kjo për shkak se ka ende vakanca të cilat pritet të plotësohen. Nga shtatë vakanca në total, pritet që me hyrjen e 2020-ës, të plotësohen së paku pesë vendet e para./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore