Shqipëria

Gjykata e Lartë shqiptare tepër shqetësuar për kërcënimet ndaj magjistratëve


Gjykata e Lartë shqiptare ka reaguar me shqetësim të madh për kërcënimet që kanë marrë magjistratët, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.

Përmes një njoftimi për media, Gjykata e Lartë shprehet se shqetësimi është serioz dhe se mirëpret masat ligjore për përgjegjësit.

Ky njoftim vjen pas dëshmive tronditëse të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili rrëfeu për planin e grupit të Laert Haxhiut për eliminimin e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu dhe prokurores së shkarkuar në vetting të Lushnjës, Merita Selimi.

Kush janë dy prokuroret dhe avokati në “listën e zezë” të Laert Haxhiut?

“Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë përcjellin me shqetësim të gjitha referimet për kërcënime të magjistratëve për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre”.

Kështu nis reagimi i institucionit të lartë të drejtësisë në vend.

Më tej, shtjellohet se qëllimi i sistemit të drejtësisë është të kryejë në mënyrë funksionale dhe parimore detyrën e tij, dhe për këtë arsye duhet të jetë i mbrojtur dhe i garantuar nga çdo lloj presioni, ndërhyrje, pengimi, kufizimi, nga cilido drejtim që mund të vijë, pasi ato cenojnë rëndë funksionimin e tij, por edhe lëkundin besimin e publikut tek drejtësia.

Prokurorëve u rrezikohet jeta nga bandat kriminale – Balla, Dumani dhe Rrumbullaku takim në KLP

Për më tepër, shtohet se presionet apo kërcënimet e çfarëdo lloji ndaj magjistratëve përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila është e interesuar për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e jetës së çdo individi, si dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

“Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mirëpresin zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të magjistratëve”, vijon reagimi i Gjykatës së Lartë.

Tafani rrëfen për aktivitetin e Laert Haxhiut në trafikun e kokainës nga Amerika Latine

“Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se, gjykatat dhe prokuroritë janë institucione në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë dhe se çdo tentativë për cenim të integritetit fizik e moral të tyre, ndikon drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit në përgjithësi dhe atë individuale, të magjistratit në veçanti”.

Një ftesë ndërkaq ka shkuar edhe për mediat dhe qytetarët, që të denoncojnë çdo akt antiligjor në dëm të drejtësisë dhe magjistratëve.

SHBA-të dhe BE-ja shprehin shqetësimin për kërcënimet ndaj autoriteteve gjyqësore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore