Lajme

Gjithçka që duhet të dini për zhvillimet në Veri të Kosovës


Foto ilustruese nga Albanian Post

Lista Serbe e cila përfaqëson qytetarët serbë në Kosovë, të shtunën pak pas orës 12:00, vendosi që të tërhiqej nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi dhe nga Policia, si shenjë proteste ndaj vendimit të fundit të autoriteteve kosovare për ta shkallëzuar vendimin për targat ilegale serbe.

Një vendim i tillë, edhe pse ishte paralajmëruar më parë, rreth njëzet herë në dy vitet e fundit, është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditë në komunën e Zveçanit, komunë kjo e cila banohet kryesisht me serbë.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës tërheq vendimin për targat dhe fillon zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete the Kthim), Goran Rakiç, ka dhënë dorëheqje nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet nga radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës, kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë, por armët s’i kanë dorëzuar.

Ashtu siç ka raportuar Albanian Post, kjo ka qenë frika edhe nga institucioni i policisë, që rreth 400 pjesëtarë serbë do të largoheshin bashkë me armët zyrtare.

Si reaguan autoritetet e Kosovës?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qartësuar edhe një herë se nuk do të zmbrapset nga vendimi për qortimin e atyre që bartin targa ilegale, derisa largimin e serbëve nga institucionet e ka konsideruar instrumentalizim nga Beogradi zyrtar.

“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në llogarinë e tij në Facebook.

Kurse, Vjosa Osmani, presidente e vendit, ka deklaruar se tërheqja e serbëve nga institucionet, është i nxitur nga Serbia dhe vërteton se shteti serb është “burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste”.

Por, përfaqësuesja e unitetit të popullit, është e bindur se Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Kosovë, përkundër përpjekjeve të Serbisë.

Opozita kritikoi Kurtin

Reagime ndaj këtij zhvillimi pati edhe nga opozita, të cilët shfrytëzuan rastin ta kritikonin edhe të parin e qeverisë.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryeministri Kurti, që t’i adresohet popullit me një konferencë ku do të shpjegonte se çfarë po ndodhë, pas rëndimit të situatës në veri.

“Kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndërmarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit”, shkroi ai në Facebook.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka lëshuar një komunikatë për media ku thërret për qetësi në Veri të Kosovës, pas largimit të serbëve nga legjislativi e ekzekutivi.

“LDK-ja i fton qytetarët në veri për qetësi; ndërsa institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar pasardhësit të tij në qeveri, që të ndalë menjëherë politikën, që sipas tij, po çon në tensionimin në veri dhe është anti-amerikane.

“Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, shkroi Haradinaj në Facebook.

“Duam zbatim të marrëveshjeve”

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se ka biseduar në telefon me ambasadorin amerikan Christopher Hill, me të cilin ka folur rreth rolit të Serbisë në respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

Më tej ai shtoi, se Kosova është shteti që po rrezikon sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

“Në një bisedë të gjatë dhe kuptimplote telefonike me ambasadoren Hill, ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes, respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, por theksova edhe tmerrin e serbëve me sjelljen e Kosovës, dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre dhe stabilitetin e gjithë rajonit”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, përmes një njoftimi për media, ka thënë se përfaqësuesit e ‘Listës Serbe’, me largimin e tyre nga të gjitha institucionet e Kosovës, “mbrojtën të drejtën ndërkombëtare publike dhe Marrëveshjen e Brukselit”.

Ajo ka theksuar se ‘Lista Serbe’ do ta ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Serbisë, “në luftën e saj për paqen, stabilitetin, sundimin e ligjit dhe respektimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara”.

S’ka dërgim të Njësive Speciale në Veri

Po ashtu, u raportua se pas vakuumit institucional në pjesën veriore, forcat e Njësisë Speciale Operative kishin zbarkuar në Veri të Kosovës, gjë që u mohua nga Policia e Kosovës

“Njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore, mirëpo nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës, ashtu siç është publikuar në media”.

Policia në vazhdimësi përcjellë zhvillimet në vend, përfshirë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës dhe bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për tu përballur me situatën e sigurisë dhe reagimin profesional në rast të cenimit të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues.

Polic i Njësisë Speciale të Kosovës

Prezencë e shtuar e EULEX-it 

Në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinje, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), pas tërheqjes së ‘Listës Serbe’ nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Policë të EULEX-it nga kontingjenti polak janë duke qëndruar në Jarinje dhe po shikojnë situatën nga afër.

Gjithashtu, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) janë të stacionuar pranë rrugës kryesore.

Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.
Por, si rrodhën gjërat?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri kishte pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Çka ndodhi më pas?

Drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, u suspendua nga kjo pozitë me vendim të Inspektoratit të Policisë së Kosovës me pretekstin se i njëjti kishte refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortimin e shtetasve serb të cilët kanë refuzuar t’i konvertojnë targat e tyre ilegale në ato RKS.

Në një konferencë për media menjëherë pas këtij vendimi të Inspektoratit, kryetari i Listës Serbe dhe tashmë ish-ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, kishte caktuar për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe, për të diskutuar mundësinë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës, duke filluar nga ai personalisht.

Përveç kësaj, Rakiç, kishte bërë të ditur se Lista Serbe të dielën do të protestojë në mënyrë paqësore në shenjë indinjate ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovë.

Ai nuk kishte garantuar që protesta demokratike mund të shndërrohet edhe në një revolt popullore.

NATO: Gati të ndërhyjmë nëse rrezikohet stabiliteti në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore