Lajme

Gjini: Asgjë nuk mund t’i zbehë marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri


Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka deklaruar se pavarësisht anulimit të mbledhjes së dy qeverive shqiptare, “asgjë nuk mund t’i zbehë marrëdhëniet vëllazërore të popullit shqiptar” në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjini në një deklaratë për media nga vendi ku është planifikuar mbajtja e mbledhjes mes dy Qeverive ka thënë se lajmi për anulimin e këtij takimi është i keq, por që nuk është fundi i botës.

“Marrëdhëniet mes shteteve ndahen në disa kategori. Nuk mund t’i zbehë asgjë marrëdhëniet e popullit shqiptar. Është keq që është anuluar. Mbledhjet e këtilla janë ceremoniale, dërgojnë mesazh bashkëpunimi, miqësore, vëllazërore”.

“Rrethanat në të cilat gjendemi sot e kanë pas zbehë mesazhin që është dashur të jepet nga Gjakova. Nuk do të kishte dalë mesazh i njëjtë sikur para dy-tre muaj. Nuk është fundi i botës, do të kemi lajme të mira”, ka deklaruar ai.

Ai tutje ka bërë thirrje që të mos harrohet se kush mundësoi çlirimin e qytetit që ai udhëheq.

“Sot është Dita e Çlirimit në Gjakovë, duhet ta kujtojmë këtë ditë, nuk duhet harruar si kemi arrit në këtë ditë. Duhet t’i kujtojmë dëshmorët, familjarët e martirëve e të gjithë ata që dhanë kontribut. Kurrë, kurrë nuk bën me harru si kemi ardhur deri te 10 qershori i Kumanovës, 12 qershor i forcave të NATO-s, 14 qershori i Gjakovës pa SHBA-në dhe NATO-n”.

“E kemi dëshmuar që e kemi deshtë lirinë. E kemi merituar gjithë simpatinë e botës demokratike me mund, me sakrificë. Nëse e harrojmë, tregojmë naivitet dhe mosmirënjohje të skajshme. Populli i Kosovës di me çmu mirësinë e mbështetjen”, ka thënë ai.

Duke shtuar se pret që dy qeveritë të mblidhen në Gjakovë në 25-vjetorin e çlirimit të këtij qyteti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur të martën në një konferencë të jashtëzakonshme që mbledhja mes dy Qeverive është anuluar për shkak të situatës aktuale në Kosovë.

Mbledhja ishte paraparë që të mbahej të mërkurën e 14 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore