Lajme

Gjermania dhe Katari në mosmarrëveshje për furnizimin me LNG, sipas Reuters


Gjermania dhe Katari kanë hasur në vështirësi në bisedimet për marrëveshjet afatgjata të furnizimit të gazit të lëngshëm natyror (LNG).

Kjo, mes dallimeve mbi kushtet kryesore, duke përfshirë kohëzgjatjen e çdo kontrate.

Lajmi e bëri të ditur agjencia Reuters, duke cituar tre persona të njohur me diskutimet.

Gjermania, e cila synon të ulë emetimet e saj të karbonit me 88 për qind deri në vitin 2040, nguron të angazhohet ndaj kushteve të Katarit për të nënshkruar marrëveshje të paktën 20-vjeçare.

Në të përfshihen sigurimi i vëllimeve masive të LNG-së që i nevojiten për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus, thanë burimet e Reuters.

Katari është furnizuesi më i madh në botë i LNG-së dhe po specifikon gjithashtu një klauzolë destinacioni që do të pengonte Berlinin të ridrejtonte gazin në zona të tjera në Evropë.

Këtë kusht e kundërshton Bashkimi Evropian.

Bisedimet e ashpra midis Katar Energy dhe ndërmarrjeve gjermane nxjerrin në pah sfidat me të cilat përballet BE në ambicien e saj për të diversifikuar larg gazit rus.

Kjo, ndërsa qeveria gjermane përpiqet të balancojë çdo marrëveshje me objektivat e saj për reduktimin e karbonit.

Gjermania konsumon rreth 100 miliardë metra kub (bcm) gaz natyror në vit, me rreth 55 për qind të atij që vjen nga Rusia dhe vëllime më të vogla të tubacioneve nga Holanda dhe Norvegjia.

Ajo ka mbështetur ndërtimin e dy terminaleve LNG dhe ka marrë me qira katër njësi magazinimi lundrues dhe rigazifikimi (FSRU).

Një burim tjetër u shpreh se sigurimi i furnizimeve me LNG nga Katari “nuk pritet të ndodhë së shpejti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore