Lajme

Gjermania dhe Franca partnerë të palëkundur në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së


Flamuri gjerman dhe ai francez

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas dorëzimit të Raportit të Progresit Kryeministrit, Albin Kurti dhe Presidentes, Vjosa Osmani nga ana e shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Rohde ka thënë se Gjermania vazhdon të jetë një partner i palëkundur i shtetit të Kosovës drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

“Gjermania vazhdon të jetë një partner i palëkundur në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE”, ka shkruar ai në faqen e tij në rrjetin social Twetter.

Edhe Ambasada e Francës në Kosovë përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se Franca qëndron me Kosovën për reformat e nevojshme drejt integrimit evropian.

“Franca qëndron me Kosovën për të implementuar reformat e nevojshme për rrugën e integrimit evropian”, thuhet në reagimin e ambasadës franceze.

Në raportin e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, thuhet se Kosova është ende në fazat fillestare të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të Vetting-ut.

“Kosova është ende në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor funksional. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, jo-efikas, dhe i prekshëm nga ndikimet politike. Pak progres është bërë gjatë periudhës së hartimit të raportit”, shkruan në raportin e KE-së.

Sa i përket procesit të Vetting-ut, raporti i KE-së thotë se mënyra se si është bërë me një vlerësim të “një-hershëm” është shqetësuese.

“Qeveria e Kosovës ka qenë duke konsideruar disa opsione për një sistem vetting-u në drejtësi dhe prokurori. Në këtë kontekst, prezentimi i një ri-vlerësimi të plotë të një-hershëm të të gjithë prokurorëve zgjon shqetësime serioze”.

“Një proces i tillë duhet të konsiderohet vetëm si masë e veçantë kur s’ka zgjidhje tjetër, kur të gjitha mjetet ekzistuese dhe mekanizmave për të siguruar luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve gjyqësor janë shterrur, por edhe atëherë duhet të jetë në pajtim me standardet Evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe këshillën e Komisionit të Venecias”.

Kurse sa i përket luftës kundër korrupsionit, në raport thuhet se ka ndodhur një progres i pakët dhe kufizuar.

Korrupsioni është i shpërndarë anembanë, shkruan raporti, dhe se mbetet ende shkak për shqetësime serioze.

“Pavarësisht disa përpjekjeve të bëra ende ka nevojë për vullnet të fuqishëm politik për të adresuar efektivisht rreziqet e korrupsionit sistematik, si dhe një përgjigje të fortë ndaj korrupsionit në nivelin e lartë”.

Raporti ka dhënë vlerësim edhe sa i përket angazhimit të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, ku thotë se është bërë një lëvizje përparimtare në këtë drejtim.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Ka bërë përparim të kufizua gjatë periudhës raportuese në hetimit dhe përndjekjen e rasteve të krimit të organizuar”, shkruan në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore