Lajme

Gjenerali sudanez bie dakord me SHBA-të për të formuar qeverinë e re


Udhëheqësi ushtarak i Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të përshpejtuar formimin e një qeverie të re, pasi urdhëroi lirimin e katër ministrave të qeverisë që rrëzoi në një grusht shteti.

Kjo u bë me dije pas telefonatës që pati gjenerali me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Të dyja palët ranë dakord për nevojën për të ruajtur rrugën e tranzicionit demokratik, nevojën për të kompletuar strukturat e qeverisë kalimtare dhe për të përshpejtuar formimin e qeverisë”, tha ai.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sudanin tha se bisedimet kishin nxjerrë në pah një marrëveshje të mundshme për një kthim në ndarjen e pushtetit, duke përfshirë rivendosjen e Hamdokut si kryeministër.

Kryeministri Abdalla Hamdok

Por duhej rënë dakord në “ditë jo javë” përpara se qëndrimet e të dyja palëve të forcoheshin.

Njoftimi i së enjtes për katër ministrat erdhi një ditë, pasi zyra e Hamdokut, mohoi një raport se ai kishte rënë dakord të drejtonte një qeveri të re.

Ai këmbënguli se donte që të arrestuarit të liroheshin dhe organet drejtuese të rivendoseshin përpara se të hynte në ndonjë dialog.

Sudani ka qenë në “luftë” që nga komploti i dështuar i grushtit të shtetit muajin e kaluar, i cili prodhoi akuza të ashpra midis grupeve ushtarake dhe civile, që synonin të ndanin pushtetin pas rrëzimit të udhëheqësit të vjetër të vendit, Omar al-Bashir.

Al-Bashir u rrëzua pas muajve protestash në rrugë në vitin 2019 dhe një tranzicion politik i rënë dakord pas largimit të tij kishte për qëllim të çonte në zgjedhje deri në fund të vitit 2023.

Marrëveshja për ndarjen e pushtetit krijoi një qeveri që përfshin ushtrinë, përfaqësuesit civilë dhe grupet e protestave.

Shoqata e Profesionistëve Sudanez, grupi kryesor politik pro-demokratik i vendit, i quajti lëvizjet e ushtrisë të hënën një grusht shteti të dukshëm ushtarak dhe i bëri thirrje publikut të dilte në rrugë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore