Lajme

Gjenden shkelje në prokurim dhe pagesa në Ministrinë e Shëndetësisë nga auditori


Ministria e Shëndetësisë.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka raportuar për disa parregullsi në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), me theks të veçantë në menaxhimin e specializantëve, për proceset e prokurimit dhe për procedimin e pagesave.

Në këtë raport për vitin 2022 janë bërë të ditura se janë evidentuara tri raste të specializanteve të rregullta që kishin shkuar në pushim të lehonisë pa vendim nga MSH-ja.

“Tri raste të specializanteve të rregullta kishin shkuar në pushim të lehonisë pa vendim nga MSH-ja. Në mungesë të vendimit të pushimit të lehonisë, specializantet nuk kanë mundur t’i dorëzojnë dokumentet për të përfituar të drejtën e pushimit me pagesë edhe për tre muajt tjerë nga Qeveria”, thuhet në raport.

Një tjetër shkelje e këtij dikasteri ka qenë edhe pagesa e një specializante tre muaj më shumë se 70 për qind e pagës bazë.

“Një specializante ishte paguar nëntë muaj nga MSH-ja (tre muaj më shumë) me 70% të pagës bazë, duke mos i aplikuar ndalesën e pushimit të lehonisë, ndalesën e shujtës dhe shtesës për Covid 19. Edhe në dy raste tjera shujta dhe shtesa për COVID19 nuk i ishte ndalur specializanteve që ishin në pushim të lehonisë”.

MSH-ja në muajin mars të 2022 kishte nxjerrë vendim për pagesën e dy kujdestarive obligative në muaj për specializantët dhe që pagesa duhet të aplikohej në mënyrë retroaktive që nga muaji janar 2022.

“Ne kemi vërejtur që në katër raste janë paguar më shumë se dy kujdestari për disa muaj. Në listat e pranuara nga SHSKUK kishte pagesa deri në katër kujdestari. Vlera e gabimit ishte 5,855€. Menaxhimi i dobët ishte rezultat i mungesës së kontrolleve për specializantët nga ana e zyrtarëve përgjegjës të Ministrisë”, bën të ditur raporti.

Gjetje të tjera ishin evidentuar edhe në raport në proceset e prokurimit, ku në aktivitetin e ri-tenderimit, “Furnizim me dokumente shëndetësore–receta për institucionet shëndetësore” anëtar i komisionit për vlerësimin e tenderit ishte caktuar zyrtari i cili kishte përgatitur specifikat.

“E cila ishte në kundërshtim me nenin 62 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit (RrUOP) te ndarja e detyrave pika 62.3, paragrafi 4”.

I njëjti aktivitet kishte krijuar konfuzion tek Operatorët Ekonomik (OE), në lidhje me çmimin që duhet ofertuar.

“Në fillim, në dosje të tenderit ishte kërkuar që çmimet të jenë me dy shifra pas pikës dhjetore, më vonë me katër, pastaj në fund një pjesë e artikujve me dy e pjesa tjetër me katër. Të gjitha këto ndryshime kishin ardhur pas kërkesave të OE si rezultat i specifikimeve që ishin bërë në dosje të tenderit”, thuhet në raport.

Në procedurën e prokurimit “Blerja e pajisjeve medicinale për DSHB” në vlerë prej 32 mijë e 340 euro, mungon vendimi nga ZKA për caktimin e menaxherit te kontratës, siç kërkohet me nenin 61.15 të RrUOP-së.

“Ndarja jo e duhur e detyrave, mungesa e analizave gjatë përgatitjes së specifikave dhe mungesa e vendimit nga ZKA për caktimin e menaxherit të kontratës tregojnë një kujdes jo të duhur të akterëve të involvuar në mbarëvajtjen e proceseve të prokurimit”.

Kurse për mangësitë në procedimin e pagesave, auditori kishte identifikuar tri raste të pagesave, ku zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të shërbimeve.

“Këto shërbime ishin për mirëmbajtje të teknologjisë informative dhe shfrytëzim i automjeteve me qira. Totali i këtyre pagesave ishte 26,829€. Kjo ka ndodhur për shkak të praktikës jo adekuate për të zbatuar procedurat ligjore për shpenzimin e parasë publike nga ana e zyrtarëve përgjegjës”, thuhet në raport.

Si përfundim ky raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit, ka rezultuar me shtatë rekomandime, prej tyre katër janë rekomandime të reja, dy të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore