Shqipëria

Giveaway, por jo taksat


“Merr 50 biznese. Secilit i kërkon nga 200 euro. Pra, një total prej 10 mijë eurosh. Me 6 mijë euro blen dhuratat që do të japësh dhe pjesën e mbetur e fut në xhep. Të gjitha, pa bërë asnjë deklarim”.

“Kështu funksionon tregu”, tregon E. Gj. për Albanian Post, një i ri nga Tirana, i cili gjendet brenda botës së ethshme të biznesit virtual.

Koncepti i dhurimit, ose siç quhet në gjuhën e mediave sociale, Giveaway, është futur së fundmi edhe në Shqipëri. Mes shumave të mëdha dhe ndjekjeve në Instagram, ajo që i bashkon të gjitha, është informaliteti.

“Shumica veprojnë me lekë në dorë”, rrëfen E. Gj.. “E kanë më të lehtë kështu dhe nuk deklarojnë asnjë të ardhur në shtet”.

Mënyra si gjithë skema funksionin, është nëpërmjet garantimit të ndjekësve të rinj për bizneset. Personi, që ka shumë ndjekës, i “detyron” ata të ndjekin edhe faqet që janë pjesë e Giveaway-t. Në këmbim, kërkojnë një shumë të caktuar parash.

Kjo metodë gjithsesi, nuk është aq e frytshme sa vetë bizneset mendojnë.

“Nuk është aspak fitimprurëse. Bizneset mendojnë se do t’u rriten ndjekësit. 10 mijë, 20 mijë. Unë vetë, nga 15 mijë ndjekës shkova 27 mijë nëpërmjet një Giveaway. Sot kam 19 mijë. Asnjë nga ata që të shtojnë për detyrim ndaj konkursit nuk të mbajnë. Është e kotë”.

Çështja e taksimit, thelbi i problemit

Sipas ligjit, çdo e ardhur personale duhet të tatohet në bazë të legjislacionit. Tatimet llogariten mbi të ardhurat e çdo individi. Nëse fitimet nga mediat sociale do të cilësohen si fitime në bazë të ligjit të tatimeve, me rregullimet e fundit, kemi tre fasha kryesore:

Deri në 30 mijë lekë, është kufiri i të ardhurave të patatueshme. Nga 30 mijë deri në 150 mijë lekë, të ardhurat tatohen në 13% të shumës. Të ardhurat mbi këtë shumë, tatohen në masën 15 mijë e 600 lekë plus 23% të shumës së përftuar.

Por me këto Giveaway, zero, është shifra e vetme që shkon në xhepat e shtetit.

Eksperti i ekonomisë, Altin Hoti, deklaroi për Albanian Post se “çdo e ardhur duhet taksuar, pavarësisht se ku krijohet”. “Minimalisht, duhet tatuar e ardhura në burim”.

Ndër të tjera, Hoti shton se “ka mundësi që të mos kërkohet tatimi drejtpërdrejt nga shteti, por duhet të vetëdeklarohen të ardhurat”. “Kjo ndodh me shuma të vogla. Por, nëse kemi të bëjmë me shuma të mëdha, qofshin këto edhe media të mëdha që përftojnë nga Instagrami, Facebook-u etj., duhet të kërkohet detyrimisht tatimi”.

Si duhet të taksohen dhe gjobiten shkelësit?

Një mënyrë tjetër si mund të cilësohen Giveavay-t, janë ato të përcaktimit si lojëra fati promocionale. Sipas ligjit nr 155/2015, të tilla quhen ato lojëra nga ku subjektet që nuk ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit, që promovojnë produkte apo shërbime, në të cilat pjesëmarrësit mund të përfitojnë çmime apo bonuse.

Këtë fakt e bën me dije për Albanian Post, Avokatja Leonora Rexha.

“Në po të njëjtin ligj, në nenin 53, citohet se ‘zhvillimi i lojës promocionale nga persona të papajisur me autorizim, përbën kundërvajtje administrative’. Për këtë fakt, dënohet me gjobë deri në 500 mijë lekë”.

Përtej kësaj, nëse cilësohen si të tillë, personat që zhvillojnë Giveaway duhet të taksohen 15% sipas avokates. “Të gjitha të ardhurat nga lojërat e fatit dhe shpërblimet taksohen 15%”, saktëson ajo.

Gjithashtu, për këta persona, ekziston edhe rreziku i dënimeve me burgim deri me tre vjet. “Fshehja e të ardhurave konsiderohet vepër penale në nenin 180 të Kodit Penal. Shmangia e detyrimeve tatimore, përfshihet në këto shkelje”, përmbyll Rexha.

Por, nëse për subjekte të tilla flasim për shifra përfitimi deri në 4 mijë euro për Giveaway, ka të tjerë që dhurojnë edhe makina apo shuma mbi 10 mijë euro për fituesit.

Në të tilla raste, përfitimi mund të jetë eksponencialisht më i lartë. Kjo gjë, do të përbënte siç fakton avokatja Rexha, një shkelje të rëndë penale.

Sërish, gjithsesi, Instagrami mbetet i tejmbushur me publicitete të tilla “të zeza”. Jo vetëm në përmbajtje, por edhe në shkelje ligjore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore