Stil

Gigi Hadid dhuron të ardhurat e saj nga shfaqjet e modës, në ndihmë të Ukrainës


Gigi Hadid - Modele

Modelja e famshme, Gigi Hadid ka njoftuar përmes Instagram-it, se do të dhurojë të gjitha të ardhurat e saj të muajit të modës për përpjekjet e ndihmës në Ukrainë, e cila aktualisht po përballet me një pushtim agresiv nga trupat ruse nën urdhrin e presidentit, Vladimir Putin.

Gjatë disa javëve të fundit, modelja ka qenë një element kryesor në pasarelat e modës, pasi ka modeluar për shfaqjet më eminente, përfshirë gjigandët, Michael Kors, Versace dhe Vivienne Westwood.

Gigi Hadid.

“Të kesh një orar të caktuar të muajit të modës ka nënkuptuar që kolegët e mi dhe unë shpesh prezantojmë koleksione të reja të modës gjatë periudhave zemërthyese dhe traumatike në histori”, shkroi Hadid.

“Ne nuk kemi kontroll mbi shumicën e orareve tona të punës, por do të donim të ecnim për diçka. Zotohem të dhuroj të ardhurat e mia nga shfaqjet e vjeshtës së 2022 për të ndihmuar ata që vuajnë nga lufta në Ukrainë, si dhe për të vazhduar të mbështes ata që përjetojnë të njëjtën gjë në Palestinë”, ka shtuar ajo.

Në më shumë se një mënyrë, bota e modës është përpjekur të përdorë platformën e saj këtë muaj për të ndihmuar në përhapjen e ndërgjegjësimit për situatën e tmerrshme në Ukrainë.

Talentët ukrainas si stilistja e Bevza-s, Svitlana Bevza dhe modelja Eugenia Dubinov, kanë ndarë përvojat e tyre drejtpërdrejt nga Kievi.

Në shfaqjen e Balenciaga-s, stilistja Demna Gvasalia, e veshur në blu dhe të verdhë, ia kushtoi shfaqjen e tij qëndrueshmërisë së ukrainasve.

Ndërkaq, markat e mëdha dhe shitësit me pakicë – si Net-a-Porter, Nike, Chanel dhe Louis Vuitton – kanë ndaluar fare eksportimin në Rusi.

Gigi Hadid.

“Sytë dhe zemrat tona duhet të jenë të hapura ndaj çdo padrejtësie njerëzore”, ka shkruar Hadid.

“Të gjithë ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra, përtej politikës, përtej racës, përtej fesë. Në fund të fundit, jetët e pafajshme paguajnë për luftën – jo udhëheqësit”, ka përfunduar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore