Kosova

Gërxhaliu për ndalimin e importit të mallrave serbe: Bota e shëndoshë ndërton ura – ne mure


Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se asnjë barrierë, taksë apo bllokadë nuk i kontribuon zhvillimit dhe promovimit të Kosovës që ka për qëllim Evropën, derisa ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje urgjente për bllokadën e produkteve nga Serbia, meqë sipas tij, e gjithë situata i prek më së shumti konsumatorët.

“Mund ta imagjinoni që nga viti 1999 e deri më sot kemi pasur mbi 72 apo 73 nisma të ndryshme rajonale dhe të gjitha kanë qenë iniciativa që ose kanë dështuar në një farë mënyre ose nuk kanë dhënë rezultatin e pritur. Në këtë kontekst, mendoj se qëllimi i të gjitha atyre marrëveshjeve dhe iniciativave ishte se si të eliminohen barrierat, si të kemi kalim të lirë të mallrave”, tha Gërxhaliu për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovonline.

“Ndërsa bota e shëndoshë ndërton ura, ne i rrënojmë ato ura dhe ndërtojmë mure, dhe kur ndërtojmë mure quhet izolim dhe kjo nuk i bën dobi askujt”, shtoi ai.

Ai ka theksuar se “ata që vuajnë më shumë” janë konsumatorët në Kosovë, derisa ka shtuar “është e vërtetë që këto mallra mund të zëvendësohen, mund të gjendet alternativë, por problemi është se konsumatori nga Kosova është më i prekuri dhe askush nuk kujdeset për të”.

“Prandaj dialogu nuk ka alternativë, ne duhet të gjejmë zgjidhje sa më shpejt, sepse thjesht kështu preken qytetarët e Kosovës”, ka theksuar ai.

Gërxhaliu beson se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje kompromisi për situatën aktuale dhe se e gjithë situata duhet të analizohet nga disa dimensione – politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

“Prandaj, as Kosova, as Serbia dhe as i gjithë Ballkani nuk vuajnë nga fakti që nuk ka marrëveshje, por ka probleme sa i përket përmbushjes dhe zbatimit të atyre marrëveshjeve. Ne duhet të përqendrojmë energjinë tonë më shumë se si ta zbatojmë të gjithë këtë, apo ta kthejmë në realitet, dhe jo vetëm të kërkojmë arsye për dështimin”, shtoi Gërxhaliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore