Lajme

Gërvalla: Në ditën e përballjes kundër propagandës së Vuçiçit në OKB, opozita kosovare debaton për MPJD-në


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, akuzoi opozitën kosovare që debatoi mbi punën e MPJD-së në ditën kur në Këshillin e Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara (OKB), në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara (SHBA),  do të debatohet për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryediplomatja e Kosovës, nëpërmjet një reagimi në “Facebook” të enjten, deklaroi se në kohën kur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së delegacioni kosovar do të përballet me propagandën e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, opozita në Kosovë debatoi rreth MPJD-së, duke refuzuar propozimin për shtyerje të kësaj pike të rendit të ditës deri në seancën e ardhshme.

Në pikat e rendit të ditës për seancën e së enjtes është paraparë edhe diskutimi mbi themelimin e Komisionit Hetimor në kuadër të Kuvendit të Kosovës për nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të MPJD-së. E shefja e diplomacisë kosovare theksoi se “mezi pret” të kthehet nga Nju Jorku për të debatur mbi këtë çështje.

“Meqenëse detyra ime ma kërkon që sot të jem në Nju Jork dhe nga pamundësia që të jem e pranishme në atë seancë të kuvendit, dua të përcjell mesazhin që jo vetëm që nuk i shmangem asnjë debati dhe asnjë hetimi, por mezi po pres që të flasim edhe për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizmin dhe shkeljet konstante të ligjit”.

Gërvalla konsideroi se Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kreu “reformën më të thellë” në MPJD, duke vendosur në çdo segment si kriter të vetëm ligjin, profesionalizmin dhe meritokracinë, ndërsa akuzoi pushtetet e kaluara se emëruan ambasadorë e konsujë nëpërmjet “telefonatave të stilit pronto” e në “kafene dhe oda” të Kosovës.

Seanca e Këshillit të Sigurimit mbi rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi pritet të fillojë në orën 15:00 në bazë të kohës lokale në Nju Jork, kurse në orën 21:00 me kohën lokale të Prishtinës. Nuk dihet ende nëse seanca do të jetë e hapur për publikun apo nëse do të ketë konsultime të mbyllura për shkak të shmangies së përplasjeve eventuale për këtë çështje.

Dinari e kthen Kosovën në agjendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore