Lajme

Dinari e kthen Kosovën në agjendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së


Ilustrim

Në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) këtë të enjte do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku ndër çështjet kryesore që do të trajtohen pritet të jenë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Ambasadori i Serbisë në OKB dorëzoi të hënën një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për “krizën e dinarit” dhe “situatën e përgjithshme” në Kosovë që, sipas pretendimeve të Serbisë, është në “kontrast të madh” me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit së cilës i referohet Serbia në diskutimet për Kosovën.

Seanca e Këshillit të Sigurimit mbi rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi pritet të fillojë në orën 15:00 në bazë të kohës lokale në Nju Jork, kurse në orën 21:00 me kohën lokale të Prishtinës. Nuk dihet ende nëse seanca do të jetë e hapur për publikun apo nëse do të ketë konsultime të mbyllura për shkak të shmangies së përplasjeve eventuale për këtë çështje.

Megjithëse anëtarët e Këshillit të  Sigurimit janë të bashkuar në mbështetjen e procesit të dialogut për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndarjet e thella midis anëtarëve të përhershëm – SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe – kanë vazhduar ta karakterizojnë qasjen e Këshillit të Sigurimit ndaj çështjes.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Në hijen e papërgjegjshme të retorikës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi mbështetje për ndaljen e “provokimeve” të autoriteteve kosovare, ndërsa paralajmëroi edhe “pasoja juridike” për Kosovën, kurse rregulloren e BQK-së ndër të tjera e cilësoi “krejtësisht të paligjshme” nëpërmjet së cilës synohet “spastrimi etnik” i popullit serb nga territori i Kosovës.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Rusia pretendoi se gjendja e serbëve të Kosovës është duke u rënduar, madje përmes toneve alarmuese propagandistike shtoi se ndalimi i dinarit paraqet “fazën e fundit” të përpjekjeve të Kosovës për “dëbimin e serbëve nga trojet stërgjyshore”, ndërsa Kina deklaroi se “veprimet e njëanshme” nuk i kontribuojnë përpjekjeve për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës lanë të hapur mundësinë për një periudhë njëmujore tranzitore për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate shqetësimeve të komunitetit serb në Kosovë që vazhdon të përdorë në mënyrë ilegale dinarin serb për pagesa/transaksione, madje thanë se rregullorja e BQK-së nuk synon të ndalojë përdorimin e dinarit serb e as nuk do të ketë ndëshkime.

“Një periudhë tranzitore kurrë nuk duhet të keqinterpretohet sikurse sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa garantoi se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër sociale nga Serbia mund të vazhdojnë t’i pranojnë pa pengesa.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo serbët lokalë do të adaptohen me vendimin e BQK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore