Kosova

Gërvalla i njofton homologet nga Kroacia, Portugalia dhe Lihtenshtajni për tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla me homologet nga Krocia, Porugalia dhe Lihtenshtajnit.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit zyrtar të saj në Mynih të Gjermanisë, është takuar me ministrin e jashtëm të Kroacisë, Gordan Grilic Radman, atë të Portugalisë Joao Gomes Cravinho dhe atë të Lihtenshtajnit Dominique Hasler, me të cilët ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Përmes një komunikate dërguar mediave është thënë se takimet Gërvalla i ka bërë të ndara duke i njoftuar ata për tendencat destabilizuese të Serbisë.

“Gjatë këtyre takimeve, Ministrja Gërvalla i njoftoi homologët e saj rreth proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, duke përfshirë sigurinë dhe tendencat destabilizuese të Serbisë, të cilat e rrezikojnë hapur sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë”.

Ndërsa, ka folur edhë për bashkëpunim edhe në pjesë të tjera.

“Bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe mbështetja për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë ishte gjithashtu pjesë e rëndësishme e diskutimit të frytshëm bilateral me Kroacinë, Portugalinë dhe Lihtenshtajnin”, thuhet në komunikatë.

Gërvalla, gjatë ditës është takuar edhe me homologun turk, Hakan Fidan, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunim më të thellë bilateral.

Më 18 shkurt, Gërvalla, është takuar me disa deputetë gjerman, të cilët i ka njoftuar për “ndryshimet thelbësore” në komunat veriore, përkatësisht Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë, Gërvalla, është takuar të shtunën edhe me homologen e saj nga Bullgaria, Mariya Gabriel, me të cilën kanë diskutuar për koordinimin në proceset euroatlantike.

Siç ka njoftuar MPJ, takimi mes kryediplomates kosovare dhe asaj bullgare ka filluar me urimin për qytetarët e Kosovës me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë.

“Në rrafshin e marrëdhënieve të fuqishme bilaterale mes dy shteteve, Ministrja Gërvalla dhe homologia e saj Gabriel diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë shkëmbimet tregtare, zhvillimin e bujqësisë si dhe mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në mekanizmat euroatlantik”, thuhet në njoftim.

Aty shtohet se situata në Ballkanin Perëndimor dhe nevoja e ndërmarrjes së hapave konkret në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon ishte gjithashtu pjesë e rëndësishme e diskutimit në takimin dy palësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore