Lajme

Gërvalla me homologun turk diskutojnë për ngritjen e kapaciteteve në sigurinë e Kosovës


Ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Hakan Fidan.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, është takuar me homologun turk, Hakan Fidan, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunim më të thellë bilateral.

Përmes një komunikate për media, është thënë se partneriteti mes dy shteteve në pjesën e sigurisë ishin temë diskutimi mes palëve.

“Partneriteti mes dy shteteve dhe mbështetja e Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Kosovës në fushën e sigurisë ishin gjithashtu pjesë e rëndësishme e takimit mes Ministres Gërvalla dhe homologut të saj turk, Hakan Fidan”.

Çështje e diskutimit ishte po ashtu “realizimi i projekteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë”.

“Ministrja Gërvalla gjatë këtij takimi shprehu falënderimin ndaj Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në shumë fusha si dhe e njoftoi homologun turk mbi progresin e arritur në demokratizim, liri të mediave, të drejtat e qytetarëve, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare në Kosovë”.

Më 18 shkurt, Gërvalla, është takuar këtë të diel me disa deputetë gjerman, të cilët i ka njoftuar për “ndryshimet thelbësore” në komunat Veriore, përkatësisht Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë, Gërvalla, është takuar të shtunën edhe me homologen e saj nga Bullgaria, Mariya Gabriel, me të cilën kanë diskutuar për koordinimin në proceset euroatlantike.

Siç ka njoftuar MPJ, takimi mes kryediplomates kosovare dhe asaj bullgare ka filluar me urimin për qytetarët e Kosovës me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë.

“Në rrafshin e marrëdhënieve të fuqishme bilaterale mes dy shteteve, Ministrja Gërvalla dhe homologia e saj Gabriel diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë shkëmbimet tregtare, zhvillimin e bujqësisë si dhe mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në mekanizmat euroatlantik”, thuhet në njoftim.

Aty shtohet se situata në Ballkanin Perëndimor dhe nevoja e ndërmarrjes së hapave konkret në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon ishte gjithashtu pjesë e rëndësishme e diskutimit në takimin dy palësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore