Lajme

Gërvalla, Cameron-it: Dërgimi i trupave shtesë në Kosovë pas sulmit në Banjë, sinjal i domosdoshëm për ruajtjen e paqes në rajon


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka informuar se në takim e ka njoftuar atë për sulmin e Banjës, më 24 shtator.

Gërvalla, ka thënë se e ka falënderuar Cameron-in për reagimin e shpejt të Mbretërisë së Bashkuar dhe për dërgimin e trupave shtesë.

“Duke e njoftuar rreth aktit të agresionit të vitit që shkoi shpreha mirënjohjen e thellë të Mbretërisë së Bashkuar për reagimin e menjëhershëm dhe dërgimin e trupave shtesë me një mandat të gjatë pas sulmit të Serbisë në Kosovë, më 24 shtator”.

“Duke e vlerësuar këtë si një sinjal të domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin”.

Sipas saj, ekziston një konsensus gjithë shoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.

“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, deklaroi Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron.

Ministrja, e vlerësoi edhe përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është partner tejet i veçantë në marrëdhëniet tona bilaterale. Në këtë kontekst e falënderova lordin Cameron, për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”.

Ajo tutje ka potencuar se Kosova është e hapur për të vazhduar bashkëpunimin në sektor të ndryshëm me Mbretërinë e Bashkuar.

“Në aspektin ekonomik dhe global, Kosova po punon çdo ditë që të jetë një partner strategjik”.

“Rritjen e dukshme të investimeve të huaja direkt, me një sektor të zhvilluar dhe klientë të rëndësishëm global me taksa shumë të ulta, sukseset e prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Kosova është e gatshme dhe e hapur për biznes”.

KFOR shtoi prezencën në Kosovë dhe njëkohësisht patrullimet përgjatë kufirit Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

Patrullim përgjatë kufirit Kosovë-Serbi janë duke kryer gjithashtu edhe ushtarët britanikë në kuadër të KFOR-it.

Ushtarët britanikë të KFOR-it kishin deklaruar për Reuters javë më parë se janë duke punuar me orar të zgjatur deri në 18 orë për t’u siguruar që asnjë armë ose grup të armatosur të mos të hyjë në Kosovë.

Cameron: Do vazhdojmë ta mbështesim Kosovën për ta ndërtuar një shtet të sigurt për të gjithë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore