Lajme

Cameron: Jam këtu për të mbështetur dhe ndihmuar Kosovën në të gjitha mënyrat


Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, pas takimit me homologen e tij nga Kosova, Donika Gërvalla, ka thënë se ka ardhur në Prishtinë për të treguar se shteti i tij do vazhdojë ta mbështes Kosovën në të gjitha mënyrat.

“Jam këtu për të mbështetur, promovuar dhe ndihmuar Kosovën në të gjitha mënyrat. Do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën, keni pasur sfida në korrupsion dhe ekonomi, por sfida kryesore është për të ndërtuar një shtet që është i sigurt për të gjitha komunitet në Kosovë. Në padyshim do ju ndihmojmë juve”, tha Cameron.

Gjatë konferencës, ai ka treguar se me ministren Gërvalla ka diskutuar edhe për sigurinë dhe kontributin e rëndësishëm që po jep Britania e Madhe në këtë aspekt.

“Ne jemi krenar për faktin që Britania e Madhe ka një rol të rëndësishme në KFOR, kemi rreth 600 trupa të dislokuara në Kosovë, jemi krenar që po mbështesim dhe trajnojmë ushtrinë tuaj”, shtoi diplomati britanik.

Cameron e ka ripërsëritur se Britania e Madhe vazhdon të jetë mbështetëse e madhe e pavarësisë së Kosovës dhe sovranitetit të saj.

“Ne gjithashtu mbështesim të drejtën e Kosovës për t’u njohur nga shtetet e tjera si shtet i pavarur dhe sovran dhe anëtare e komunitetit ndërkombëtar”, potencoi ai.

Ndryshe, Cameron të mërkurën është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sekretari i Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar i ka ofruar Kosovës ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet e tjera.

“Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”, ka theksuar Cameron, ka njoftuar zyra për media e Kurtit.

Kjo është vizita e parë e një Sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që prej vitit 2016.

Në Prishtinë, Sekretari Cameron po shoqërohet nga i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore