Sport

Gerrard e fton Suarez-in tek Aston Villa


Luis Suarez përfundoi kontratën me klubin e Atletico Madrid-it, me të cilët u përshëndet mes lotëve në ndeshjen e fundit në La Liga.

Nuk është bërë e ditur ende se ku do ta vazhdojë karrierën Suarez, por flitej se do të largohej nga Evropa.

Megjithatë e ardhmja e sulmuesit uruguaian mund të jetë përsëri në elitën e futbollit anglez Premier Leauge.

Shoku i tij, tani trajneri i Aston Villa-s, Steven Gerrard, e ka kontaktuar sulmuesin dhe i ka kërkuar t’i bashkohet atyre në Villa Park.

35-vjeçari është duke e shqyrtuar seriozisht rikthimin në Ligën Premier për t’iu bashkuar Aston Villa-s, pasi klubi anglez është duke ndërtuar një skuadër shumë të fortë për sezonin e ardhshëm.

Në rast të transferimit në Villa, përveç Gerrard-it, Suarez gjithashtu do të gjente atje Philippe Coutinho-n, me të cilin kishin luajtur bashkë te Liverpool-i.

Pra, Coutinho, i cili ishte i huazuar te Aston Villa, tani është blerë përfundimisht për 20 milionë euro nga Barcelona.

Përveç tij, Villa ka bërë në fillim të afatit kalimtar veror dy goditje të mëdha, duke nënshkruar me mesfushorin francez Boubacar Kamara nga Marseille dhe mbrojtësin brazilian Diego Carlos nga Sevilla.

Mbetet të shihet në ditët në vazhdim, se a do t’i bashkohet Suarez projektit të Gerrard-it, apo do të largohet nga futbolli evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore