Sport

Gerhard Progni zgjidhet për herë të tretë “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës


Futbollisti i skuadrës së Gjilanit, Gerhard Progni, është zgjedhur si lojtari më i mirë i xhiros së 32-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

Sulmuesi i skuadrës gjilanase, ishte vendimtar në fitoren që skuadra e tij arriti të fitojë ndaj Ulpianës me rezultat 0:4, ku ai realizoi tre gola.

Dy rrjeta i realizoi në minutat 35 dhe 44, derisa të tretin e shënoi në minutën e 72-të, ndërsa gjatë tërë ndeshjes u dallua me angazhim dhe kreativitet.

Me këta tre gola, Progni aktualisht është golashënuesi më i mirë i këtij edicioni në Supërligë, i cili ka shënuar 21 në total, tre më shumë se futbollisti i Drenicës, Kreshnik Uka.

Kjo është hera e tretë që sulmuesi nga Shqipëria shpallet “Ylli i Javës”. Ai për herë të parë ishte shpallur fitues i këtij çmimi në javën e gjashtë, kurse më pas edhe në javën e 18-të.

Çmimin e dytë nuk e kishte marrë për arsye se menjëherë pas përfundimit të stinorit vjeshtor kishte udhëtuar për vendlindje.

Për këtë arsye, ai gjatë ditës së sotme u nderua me dy çmimet, për xhiron e 18-të dhe për xhiron e 32-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore