Lajme

Gazsjellësi amerikan, strategjia e sigurisë, Ligji për donacione për FSK-në, tri kërkesat e Haradinajt për krerët e shtetit


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të kthehet projekti i gazsjellësit amerikan Shkup – Prishtinë.

Ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, i është drejtuar presidentes, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit me disa kërkesa.

Në mesin e kërkesave është edhe miratimi i Ligjit për Donacionin për Ushtrinë e Kosovës.

“ Pushtetarë të Kosovës: Presidente, Kryeministër, Kryeparlamentar, 1. Kthejeni projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë; 2.Përfundojeni Strategjinë Nacionale të Sigurisë; 3.Miratojeni Ligjin e Donacioneve për Ushtrinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërsa tutje ka apeluar që të, “thirrni ndërgjegjes suaj për hir të fëmijëve tanë”.

Ilustrim.

Më 30 shtator, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Rizvanolli këtë vendim e ka arsyetuar se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.

Në maj të këtij viti, Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), ka shfaqur interesim për të dialoguar me qeverinë e Kosovës për projektin e gazpërçuesit Greqi – Maqedoni e Veriut – Kosovë, por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për ta shtyrë atë përpara.

Ndryshe, ndërlidhja e Kosovës me tubacionin e gazit që kalon në Greqi – Maqedoni të Veriut është një nga projektet e përfolura energjetike të Kosovës, si dhe një ndër opcionet për të ardhmen energjetike të vendit.

Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore