Lajme

Gazetarët rrëfejnë detaje të rrahjes brutale nga talebanët


Gazetarët e rrahur nga autoritetet talebane.

Disa fotografi, ku shihen dy gazetarë të gazetës “Etilaatroz”, të rrahur brutalisht nga “autoritetet talebane”, po bëjnë xhiron e rrjetit, ndërsa thuhet se ata ishin duke përcjellë disa protesta të organizuara në Afganistan.

Njëri prej tyre, Taqi Daryabi, kishte thënë se, pas dërgimit në një stacion policie të rrethit të qytetit ku u arrestua, ata kishin filluar t’i rrihnin me shkelma dhe ushtruar dhunë.

Daryabi, së bashku me fotografin e “Etilaatroz”, Nematullah Naqdi, po përcillnin një protestë të grave në Kabul, ndërsa prania e tyre duket se nuk u ka pëlqyer talebanëve, të cilët kanë marrë drejtimin e vendit më 15 gusht.

Gjithsesi, ata u penguan nga puna e tyre dhe u dërguan në një stacion policie. Aty, kanë thënë ata, u rrahën me shkopinj, kabllo elektrike dhe kamxhik.

Disa orë më vonë, të njëjtit u lanë të lirë nga talebanët, pa asnjë shpjegim.

Gazetarët e dhunuar, Taqi Daryabi dhe Nematullah Naqdi.

“Ata më çuan në një dhomë tjetër dhe më vunë prangat pas meje”.

“Vendosa të mos mbrohem sepse mendova se do të më rrihnin edhe më keq, kështu që u shtriva në dysheme në një pozicion për të mbrojtur pjesën e përparme të trupit tim”, tha njëri nga gazetarët për “BBC”.

Ai thekson se ka mbetur pa ndjenja dhe po në atë gjendje ishte dërguar në një ndërtesë tjetër, ku edhe ndodheshin qelitë.

“Tetë prej tyre erdhën dhe filluan të më rrihnin, duke përdorur shkopinj policie, gome – çfarëdo që kishin në duar. Më goditën me këmbë dhe këpucë në fytyrë”.

“Unë isha pa ndjenja pas kësaj, kështu që ata ndaluan. U zgjova në një ndërtesë tjetër, ku kishte qeli, dhe më lanë aty”, tha ai.

Edhe Daryabi tha se kishte rënë pa ndjenja pas rrahjes dhe se, pas rreth dy orësh, ai ishte liruar.

Gazetarët e dhunuar nga talebanët.

“Unë mezi mund të ecja, por ata po na thoshin të ecnim shpejt. Kisha dhimbje të tmerrshme”.

Në anën tjetër, fotografi Nematullah Naqdi tha se luftëtarët talebanë ishin përpjekur t’i merrnin aparatin e tij sapo ai filloi të shkrepte fotografi nga protesta.

“Një nga talebanët më vuri këmbën në kokë, më shtypi fytyrën kundër betonit. Ata më goditën me kokë. Mendova se do të më vrisnin”, tha Naqdi për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Ndërkaq, kur ai i pyeti për arsyen e rrahjes, sipas tij, ata i kanë thënë – “Ju jeni me fat që nuk jua premë kokat”.

Edhe agjencia e lajmeve “Tolo” në Afganistan raportoi se kameramani i saj ishte arrestuar dhe mbajtur nga talebanët për gati tre orë.

Në anën tjetër, “CPJ”, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, tha se të paktën 14 gazetarë ishin arrestuar dhe më pas ishin liruar vetëm gjatë dy ditëve të fundit.

“Talibanët po dëshmojnë shpejt se premtimet e mëparshme për të lejuar mediat e pavarura të Afganistanit të vazhdojnë të veprojnë lirshëm dhe të sigurt, janë të pavlera”.

“Ne i nxisim talebanët të zbatojnë premtimet e mëparshme, të ndalojnë rrahjen dhe ndalimin e gazetarëve që bëjnë punën e tyre dhe t’i lejojnë mediat të punojnë lirshëm pa frikën e ndëshkimit”, tha Steven Butler, koordinator i programit të CPJ-së për Azinë.

Në fillim të kësaj jave, talebanët, të cilët morën kontrollin e Afganistanit në një ofensivë gjithëpërfshirëse më shumë se tri javë më parë, njoftuan formimin e një qeverie të përkohshme plotësisht me burra për të sunduar vendin.

Që atëherë, ata kanë ndaluar në mënyrë efektive protestat, duke i shpallur ato të paligjshme nëse nuk kërkohet leje nga Ministria e Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore