Lajme

Gazeta serbe Danas shkruan se Fatmir Sheholli në vitin 1999 kishte deklaruar se “UÇK-ja ma ka vrarë babanë”


Fatmir Sheholli

Gazeta opozitare serbe “Danas” në një artikull në rubrikën “Personazhi i Ditës” e ka nxjerrur një intervistë të analistit politik Fatmir Sheholli të cilën ai e kishte dhënë në vitin 1999 në Beograd për anëtarët e “Delegacionit Amerikano-Verior në soladiret me Jugosllavinë”.

Në këtë intervistë, sipas citim të “Danas”, Sheholli shprehet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës i kishte vrarë babanë në vitin 1997.

“Para dy viteve, në janar të vitit 1997, UÇK-ja më vrau babanë. E quajtën ‘tradhtar’ dhe e vranë vetëm sepse mbështeti Jugosllavinë dhe qeverinë serbe, dhe jo regjimin e UÇK-së. Ai dëshironte të jetonte me të gjitha grupet etnike në Kosovë”, citohet të ketë thënë Fatmir Sheholli.

Megjithatë, deklarata të këtilla të Shehollit të asokohe mund të gjenden fare lehtë në përmes platformave të kërkimit si Google ose Bing dhe në media serioze si “Los Angeles Times”.

Në një tekst të gazetën prestigjioze amerikane, aty shkruhet mes tjerash se Sheholli shprehet se “si shqiptar, jam i bindur që qeveria serbe dhe forcat e sigurisë nuk po kryejnë asnjë lloj të gjenocidit”.

Sheholli është zëdhënës i Ministrisë së Kosovës për Komunitete dhe Kthim në Prishtinë, drejtor dhe redaktor i Kontakt Radios dhe deri më sot është bashkëbisedues i shpeshtë dhe i mirëpritur i shumicës së mediave të Beogradit për tema politike si analist dhe publicist, shkruan mes tjerash gazeta serbe.

Pos tjerash, personazhi në fjalë ditë më parë u shpreh se gjatë kohës sa ka shërbyer në shërbime informative, ka punuar në të njëjtën kohë për sigurimin shtetëror serb si dhe ka shërbyer si informator për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Unë qe 30 vite merrem me krijimin e marrëdhënieve të mira, jo vetëm serbo-shqiptare, por edhe mes komuniteteve të tjera. Unë nuk guxoj me hy në Serbi për shkak të deklaratave të mia në emisionin e Adnan Merovcit për shkak se kam treguar që në kohën kur kam punuar në Sigurim Shtetëror kam punuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës për dy vite u kam dërguar informacione”, ka deklaruar ai.

Sheholli është mjaft i kontaktuar si analist dhe komentator politik edhe në mediat e Beogradit, ku gëzon mjaft hapësirë mediatike.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore